Arbëri

Hoxhiq: Do t’i shterim mundësitë ligjore brenda dhe jashtë vendit për rikthimin e votave

Adriana Hoxhiq kryetare e Iniciativës qytetare “UZ-AH” ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-së për anulimin e votave në pesë komuna.

Dorëzimin e kësaj ankese ajo e ka konfirmuar edhe të hënën në një përgjigje për Kohën.

Hoxhiq ka thënë se vendimi është skandaloz dhe nëse ai nuk tërhiqet do t’i shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore brenda dhe jashtë vendit.

“Ne sapo e dorëzuam ankesën. Vendimi i djeshëm është skandaloz dhe i papranueshëm, sepse i shkel të drejtat e qytetarëve që ta shfrytëzojnë votën e tyre. Ai vendim i djeshëm është sfidë për të gjitha institucionet Kosovës dhe me përgjigjen e që e marrim nga Supremja do të shohim nëse Kosova është shtet ligjor apo jo. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha rrugët ligjore, nëse kjo nuk bën punë do të shfrytëzojmë edhe mekanizmat jashtë vendit”, ka thënë ajo.

Të hënën Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi të anulonte votat e partive boshnjake në komunat me shumicë serbe dhe të votave të subjektit Iniciativa Rome në ato komuna. Në total janë anuluar 5813 fletëvotime nga numri total i 877.497 sa ishin llogaritur të vlefshme nga KQZ-ja. Pas anulimit, Hoxhiq humb ulësen në Kuvend.