Arbëri

Latifi: Shkëputjet e kontratave të punëtorëve të ANP-së janë hakmarrje e menaxhmentit

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit, Bashkim Latifi, e quan hakmarrje mosvazhdimin e kontratave të punës me 19 punëtorë të Aeroportit dhe shkëputjes së kontratës së tij.

Sipas tij, këto veprime të menaxhmentit nga Aeroporti kanë ardhur për shkak të grevave që kanë ndërmarrë punëtorët.

“Krejt kjo është një hakmarrje që gjenezën e ka më larg sepse prej fillimit të zgjedhjes sime si kryetar kemi drejtuar kërkesa drejt menaxhmentit që i kanë injoruar dhe jemi obliguar të marrim veprime që do t’i ngrisim në stazë më lartë, që janë grevat”, tha ai në Interaktiv.

Ai pohon se atyre që nuk ua kanë vazhduar kontratat e punës, kanë qenë pjesëmarrës në grevat e organizuara nga sindikatat.

“Po kanë qenë grevistë dhe janë anëtarë të sindikatës. Ky menaxhment në 2014 ka larguar kryetarin e sindikatës dhe 50 punëtorë prej punës dhe të njëjtën po e bën edhe tash. Pas grevave kemi arritë marrëveshje që menaxhmenti nuk e ka zbatuar”, tha Latifi.

Latifi tregon se në marrëveshje është cekur që të mos ketë hakmarrje ndaj punëtorëve, por që sipas tij e kanë shkelë atë me veprimet e fundit.

“Pika 1 dhe 6 e marrëveshjes ka qenë që të mos ketë hakmarrja ndaj punëtorëve dhe këtë e kanë shkelë sepse pas marrëveshjes ka filluar presion mbi punëtorët sepse brenda muajit mbi 30 punëtorë janë qitë para komisioneve disiplinore”, tha Latifi.