Arbëri

Hidrocentrali në lumin Kaçandoll: Komuna e Podujevës padit MEA-në

Komuna e Podujevës ka ushtruar padi ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) për fillimin e procedurave, siç ka thënë, në mënyrë arbitrare, për pajisje me pëlqim mjedisor për kompaninë “Hidrocom” për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandoll. Në debatin publik, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se kanë plane të tjera për atë pjesë dhe se nuk do ta lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve. Edhe përfaqësuesi i banorëve, Muhamet Murati, ka thënë se janë kundër këtij hidrocentrali. Ndërsa, nga kompania thonë se ky hidrocentral nuk e dëmton natyrën e asaj pjese

Me tensione është shoqëruar prej fillimit e deri në përfundim të tij debati publik i organizuar nga kompania “Hidrocom”, që po synon ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandoll, mbi fshatin Popovë të Podujevës.

Edhe pse kishin thirrur debat në një nga restorantet që ndodhet në fshatin Lupç i Poshtëm, pronari i restorantit nuk ishte në dijeni për këtë. Madje, nuk ishin bërë as përgatitjet për mbajtjen e debatit.

Por, përfaqësuesit e kompanisë ishin habitur me interesimin e banorëve të asaj ane dhe kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për të marrë pjesë në këtë debat. Ata pretendonin se debati është formalitet, duke i pasur parasysh kushtet pandemike. Sipas Adnan Elshanit nga kjo kompani, nuk kishte kushte për debat, edhe pse vetë kishin bërë thirrje për të.

Në fillim të debatit, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e pyeti nëse kanë ardhur për të mbajtur debat me veten, pasi nuk ishin krijuar kushte për pjesëmarrjen e banorëve. “Po, është pandemi dhe ke vendime të Qeverisë, nuk na lejohet të mbajmë këso lloj tubimesh”, ka thënë Adnan Elshani.

Megjithatë, kryetari i Podujevës iu kundërpërgjigj, duke thënë se vetë kompania e ka ftuar debatin dhe duhet t’i sigurojë kushtet për pjesëmarrje.

E, pasi Elshani ka shpalosur disa pika të projektit, kryetari Bulliqi ka thënë se kompania i kishte shpërfillur vendimet e Komunës, që ka refuzuar ta pajisë me leje këtë kompani.

“Kompania, në mënyrë të njëanshme, duke bashkëpunuar vetëm me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) dhe pa lejen e Komunës së Podujevës, për të cilën është refuzuar dy herë, ka filluar procedurat e realizimit të projektit. Prandaj, edhe na ka detyruar neve si Komunë të ushtrojmë padi, për ta kundërshtuar formën arbitrare të dhënies së këtij pëlqimi mjedisor nga MEA”, ka thënë ai.

Kritika, Bulliqi ka shprehur edhe për formën e organizimit të dëgjimit publik. Ky organizim, sipas tij, është “tregues i qartë i përpjekjes për fillim të heshtur të realizimit të këtij projekti, i cili dëmton ambientin dhe pasurinë natyrore të këtyre fshatrave”.

“Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë projekt, për të cilin kemi edhe përkrahjen e banorëve të kësaj pjese. Orientimi ynë është që për këto zona të ofrojmë investime që përmirësojnë infrastrukturën dhe nxisin investime në zhvillimin dhe promovimin e turizmit dhe assesi nuk lejojmë projekte që shkaktojnë degradim mjedisor”, ka shtuar ai.

Kundër ndërtimit është shprehur edhe përfaqësuesi i fshatit Popovë, Muhamet Murati.

“Në asnjë rast nuk është konsultuar komuniteti dhe ne jemi kundër realizimit të këtij projekti, i cili bie ndesh edhe me strategjinë lokale për zhvillim të turizmit, strategji për të cilin kanë kontribuar këta banorë”, ka theksuar Murati.

Në shenjë kundërshtimi, të gjithë e kanë lëshuar sallën ku ishte planifikuar të mbahej debati.

Pas kësaj, edhe njëherë, kryetari Bulliqi dhe përfaqësuesi i fshatit Popovë kanë përsëritur qëndrimet kundër ndërtimit të hidrocentralit.

“Ne nuk kemi asnjë arsye që një zonë e virgjër si është ajo pjesa atje, pjesa e Popovës, ta shkatërrojmë për interesa të askujt. Këta, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në çfarë forma nuk e dimë, kanë arritur që në mënyrë tinëzare të organizojnë kinse debate publike me qytetarë dhe të aludojnë në marrjen e pëlqimit të qytetarëve, për t’i realizuar punimet në një projekt të tillë”, ka theksuar Bulliqi.

Ndërkohë, përfaqësues të kompanisë kanë thënë se hidrocentrali nuk ndikon negativisht në mjedis.

Por, Ismet Gashi, nga kompania “Hidrocom” ka thënë se kur kanë kërkuar nga Kuvendi Komunal i Podujevës pëlqimin për hidrocentrale, nuk u është thënë se ka një strategji për turizëm në atë pjesë.

Sipas tij, hidrocentrali nuk e dëmton mjedisin dhe është i paraparë që të ndërtohet në kanionin që është mbi fshatin Popovë. Thotë se nuk ndikon as në regjimin e ujit, as në bujqësi, siç po pretendojnë banorët e Popovës.

Kompania, në raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, ka treguar se më herët është pajisur me pëlqim mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe se është duke aplikuar për pëlqim për herën e tretë.

Sipas këtij raporti, hidrocentrali nuk ka ndikim në ndryshimin e regjimit të rrjedhjes së lumit, nuk e kanos në asnjë mënyrë ambientin natyror dhe është projekt ekologjikisht i pranueshëm.

Por, e pranon se do të ketë zvogëlim të sasisë së ujit të lumit, gjë që ndikon negativisht në habitatin bimor dhe shtazor që zhvillohet në lumë.

Në pëlqimin paraprak, projekti do të implementohej edhe në kufirin e Komunës së Mitrovicës, ndërsa me planifikimet e reja projekti do të implementohet në kufijtë e Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës.

Në dokumentacionin e dorëzuar, kompania ka treguar se ka modifikuar edhe kontratën me Agjencinë Pyjore të Kosovës dhe se projekti ka pranuar pajtueshmëri të plotë dhe çmime të leverdishme nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Sipas kompanisë, projekti nuk po zhvillohet në zonë arkeologjike, apo zonë që është nën mbrojtje me ligj.

Sipas saj, gjatë fazës së ndërtimit mund të ketë më shumë ndikime në mjedis, “si pasojë e angazhimit të një numri të konsiderueshëm të pajisjeve mekanike për kryerjen e punimeve në dhe përreth zonës së hidrocentralit”.

Kompania thotë se në kuadër të aktiviteteve të fazës së ndërtimit duhet të bëhet betonimi i disa mureve mbrojtëse, për t’u mbrojtur nga erozioni. Ata kanë shtuar se aktivitetet e ndërtimit përfshijnë ndërtimin e një vepre marrësi dhe një godine centrali, që do të bashkohen me një tubacion të rënies së ujit.

“Këto aktivitete mund të shkaktojnë ndotje të lokalizuar të ajrit, zhurmë në hapësirën e aktivitetit në fjalë dhe ndotje të vogël të dheut”, thuhet në raportin e kompanisë. “Për të gjitha këto çështje janë propozuar masat zbutëse, me qëllim të minimizimit të këtyre efekteve është përkushtuar kompania ndërtuese nga Kosova që po bën ndërtimin e këtij hidrocentrali”, thuhet aty, ndërsa listohen një sërë masash që do të ndërmerren në pjesën e fundit të transportit.

Ndërsa në fazën operacionale kompania ka thënë se ndikimet në mjedis janë tejet minimale, pothuajse të papërfillshme. Por, thotë se me qëllim të grumbullimit të ujit, rrjedha do të devijohet, në mënyrë që edhe shpejtësia e tij të rritet.

“Pas mbledhjes së ujit në basenin e presionit, rrjedha do të përshkojë tubacionin me presion dhe do ta arrijë secilën turbinë”, thuhet në raport.

Sipas raporti të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ndërtimi i këtij hidrocentrali do të ketë ndikime të moderuara në lokacionin dhe përreth saj, ndërsa studimet sugjerojnë se ndërtimi është teknikisht i mundshëm dhe ekonomikisht i arsyeshëm.

Ky projekt parashihet të ndërtohet brenda 24 muajsh. Hidrocentrali pritet të prodhojë mesatarisht 6,081,730 kilovat orë energji elektrike në vit.