Arbëri

KQZ-ja merr vendim për rinumërimin e votave në 115 kuti nga 115 vendvotime

Mospërputhja e të dhënave të 115 kutive të votimit në 115 vendvotime, ka shtyrë KQZ-në që të vendosë për rinumërim të tyre.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit të Rezultateve, Burim Ahmetaj, tha se në këto kuti ka pasur mospërputhje të votave të subjekteve me ato të kandidatëve, ku në disa raste subjekti ka pasur më shumë vota sesa kandidatët dhe e kundërta, raporton KTV.

Ahmetaj prezantoi edhe raportin preliminar për 30 kutitë e rinumëruara një ditë parë.

Sipas këtij raporti, nga 518 fletëvotime të pavlefshme, në 205 raste janë shënuar më shumë se një subjekt politik, kurse në 250 raste është gjetur se votuesi ka harruar ta shënjojë subjektin politik, duke shënjuar vetëm kandidatët. Ndërkaq, vetëm 62 kanë qenë fletëvotime të dëmtuara qëllimisht.

Prishja e fletëvotimeve me stilolapsa dhe leximi i kandidatëve të porositur janë disa nga parregullsitë, për të cilat ka reaguar kandidati për deputet nga radhët e koalicionit LDK, AKR, Alternativa, Lëvizja për Drejtësi, Fidan Mustafa.

Mustafa ka bërë thirrje për hetim dhe rinumërim të çdo kutie në zgjedhjet e 11 qershorit.

KQZ-ja është në proces të regjistrimit të votave me kusht dhe me postë, dhe pasi të bëhet kompletimi i skanimit të tyre, në fillim të javës së ardhshme do të nisë verifikimi i votave.