Arbëri

Berisha kërkon anulimin e votave në vendbanimet serbe ku nuk jeton komuniteti rom

Kandidati për deputet nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, e ka cilësuar si të padrejtë mosreagimin e institucioneve, partive, shoqërisë civile, ambasadave e organizatave ndërkombëtare për dyshimet që Lista Serbe ka orkestruar votat në bashkëpunim me “Romani Iniciativa”.

Ai ka thënë se kjo rezulton negativisht në mbarëvajtjen demokratike të zgjedhjeve dhe mund të dëmtojë seriozisht procesin zgjedhor në Kosovë.

“Mos marrja parasysh e shqetësimeve tona mbi ndikimin e dhunshëm në vullnetin e votuesve në rastin konkret të Subjektit Politik ‘Romani Iniciyativa’ nën dirigjimin e ‘Listës Serbe’ rezulton negativisht dhe drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen demokratike të zgjedhjeve si dhe mund të dëmtojë seriozisht tërë procesin zgjedhor në Kosovë. Kosova ka qenë shembull i organizimit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve në të gjitha nivelet në Kosovë dhe duke bërë përpjekje të vazhdueshme në arritjen e objektivave për integrime evropiane, ndikimet e tilla të drejtpërdrejta në vullnetin e votuesve nga subjekti politik ‘Romani Iniciyativa’ përmes ‘Listës Serbe’ është shembulli më i keq dhe pengesë në arritjen e këtyre objektivave”, ka thënë ai.

Ai u ka bërë thirrje gjitha mekanizmave vendore dhe ndërkombëtare që në kuadër të fushë veprimtarisë së tyre të reagojnë urgjentisht në mënyrë që të vendoset drejtë manifestimi i vullnetit të lirë të votuesve si dhe të evitohet dëmtimi i mundshëm i vet procesit zgjedhor në përgjithësi.

“PLE si parti serioze parlamentare, e cila tash e tetë vite përfaqëson komunitetin Egjiptian, kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë anulimin e votave në të gjitha vendbanimet serbe, në të cilat nuk jeton komuniteti rom. Gjithashtu PLE ju bënë thirrje qytetarëve të komunitetit Egjiptian në Kosovë dhe jashtë saj që të jenë të qetë dhe të matur dhe mos të bien në provokime të individëve apo grupeve të caktuara”, ka shkruar tutje ai.