Arbëri

Pacolli: Kosova do të ishte krejtësisht ndryshe, nëse do të qeveriste AKR-ja

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se situata në Kosovë do të ishte ndryshe nëse partia e tij do të ishte udhëheqëse e proceseve politike.

Pacolli tha se AKR-ja ka tentuar të shtyjë përpara proceset politike me aq pushtet sa ka pasur, por nuk ia kanë dal.

“AKR-ja nuk ka pasur ndonjë forcë vendimtare që të ndryshojë gjërat. Ne nuk kemi pasur forcë politike në Kosovë që të udhëheqim me proceset. Po të kishte pasur këtë forcë jam i bindur që Kosova do të dukej krejtësisht ndryshe për arsye se të jesh një kryeministër i mirë do të thotë të jesh i dëshmuar. Ne kemi shtyrë procese përpara me aq fuqi politike sa kemi pasur”, deklaroi Pacolli.

AKR-ja e Pacollit për herë të parë garoi në zgjedhjet e vitit 2007, ku befasisht në atë kohë fitoi 12.3% të votave. Në vitin 2010, AKR-ja u fut në koalicion me disa parti të vogla, duke arritur të marrë vetëm 7.29%, kurse në vitin 2014 nuk arriti ta kalonte pragun. Në vazhdim të viteve, fuqia e Aleancës Kosova e Re sa shkonte e zbehej si parti politike, për të arritur kulmin në zgjedhjet e këtij viti, ku garoi bashkë në një listë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pa lidhur koalicion./EO