Arbëri

Këshilltari i shkarkuar me dyshimet për ngacmim seksual delegohet në Odën e Mjekëve

Prishtinë, 20 shkurt – Gati pesë vjet pas shkarkimit nga posti i këshilltarit të ministrit të Shëndetësisë nën dyshimin për ngacmim seksual, Zejdush Tahirit i është bërë vend në Këshillin Drejtues të Odës së Mjekëve të Kosovës. I shkarkuari nga ish-ministri Imet Rrahmani është deleguar në Këshillin Drejtues së Odës së Mjekëve nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Në shtator të 2016-s, Tahiri ishte shkarkuar pas dy vjetësh pune nga posti i këshilltarit të ministrit nën dyshimet se kishte ngacmuar seksualisht një familjare të një deputeteje.

KOHA kishte raportuar për rastin. Asokohe, Ministria e Shëndetësisë kishte dhënë deklarata kundërthënëse për shkarkimin e Tahirit. Fillimisht duke mohuar shkarkimin dhe më pas edhe arsyet që kishin çuar deri te ky vendim. Shkarkimi ishte pohuar nga zyrtarët e MSH-së vetëm pasi KOHA kishte publikuar përmbajtjen e letrës drejtuar ish-këshilltarit Tahiri.

Më pas, MSH-ja kishte deklaruar se Tahiri ishte shkarkuar, për shkak të mosarritjes së objektivave dhe obligimeve të shumta që kishte si mjek dhe në procesin arsimor. Tek më vonë, kishte pranuar se është larguar për shkak të “dyshimit për sjellje jokorrekte”.

Tahiri kishte thënë se shkarkimin e kërkoi vetë, derisa “përfoljet” për ngacmime seksuale, “vinin nga dikush qe s’ka arritur të marrë projekt në MSH”.

Gati pesë vjet më vonë, Zejdush Tahiri, është deleguar në Këshillin Drejtues të Odës së Mjekëve. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, më 2 shkurt e ka deleguar në këtë pozitë.

Pos tij, në cilësinë e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Odës së Mjekëve të Kosovës, sipas vendimit të siguruar nga KOHA, janë deleguar edhe Labinot Shahini dhe Ardian Mehmetaj. Po sipas këtij vendimi, të nënshkruar nga ministri Zemaj, në cilësinë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, janë deleguar Afrim Tahiri dhe Selam Demolli, përderisa Fakete Hoxha është deleguar në Këshillin Etik të Odës së Mjekëve.

KOHA ka tentuar pasditen e së shtunës të marrë ndonjë prononcim nga Zemaj lidhur me rastin e Zejdush Tahirit, mirëpo ai ka qenë i paqasshëm.

Në anën tjetër, Tahiri ka thënë shkurt se “në atë kohë s’kishte ndodhur asgjë”.

“Rasti nuk ka vazhduar askund, as në instancat gjyqësore”, ka deklaruar të shtunën Tahiri.

KOHA ka komunikuar edhe me ish-ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, për emërimin e ish-këshilltarit të tij në Këshillin Drejtues të Odës së Mjekëve të Kosovës. Ka thënë se nuk është në dijeni për rastin dhe nuk i intereson.

“Jo nuk jam në dijeni e as nuk më intereson kjo punë, edhe sikur të më kishin konsultuar. Nuk dua të bëj komente për shkak të arsyeve të mia personale e sidomos për vendimet e ministrit”, ka deklaruar Rrahmani.

Si Rrahmani, ashtu edhe Zemaj, janë nga Lidhja Demokratike të Kosovës.