Arbëri

Rukiqi: Qeveria e ardhshme të fokusohet në rikuperimin e dëmeve ekonomike nga pandemia

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në rikuperimin e dëmeve ekonomike që i janë shkaktuar sidomos sektorit privat nga pandemia me koronavirus.

Rukiqi në një intervistë për EO ka deklaruar po ashtu se edhe përballja me variantet e ndryshme të koronavirusit duhet të jetë një prej prioriteteve të ekzekutivit të ri.

“Kjo qeverisje vjen në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, për shkak se kemi një gjendje ende të vështirë, në aspektin ekonomik si pasojë e pandemisë, pra Kosova gjatë vitit të kaluar për herë të parë është ballafaquar më një tkurrje ekonomike e cila ka ardhur ekskluzivisht si pasojë e pandemisë dhe kjo normalisht që do të lërë pasoja edhe këtë vit por edhe vitin tjetër pra nuk pritet një rikuperim i shpejtë i gjendjes ekonomike, pasi që rënia ekonomike si pasojë e pandemisë është menduar që do të rikuperohet më shpejtë në rrethana që pandemia do të zgjaste për një periudhë më të shkurtër kohore”, theksoi tutje ai.

Ai ka shtuar se ndërrimi i shpeshtë i qeverive është një fatkeqësi për Kosovën, pasi situata jo e mirë politike krijon jostabilitet ekonomik.

“Unë besoj që kësaj here kemi një situatë pak më të qartë që është lajm i mirë, kemi thënë edhe në qëndrimet tona të mëhershme sa herë ka pasur thirrje për zgjedhje të parakohshme apo sa herë qeveritë nuk i kanë përfunduar mandatin që kjo është një fatkeqësi për Kosovën”, është shprehur Rukiqi./EO