Arbëri

SHBA-ja do që qeveria e re t’i ketë prioritet negociatat me Serbinë

Kur Albin Kurti kumtoi triumfin në zgjedhjet e 14 shkurtit, përmendi edhe dialogun me Serbinë. Tha se ky proces nuk përbën prioritet për qeverinë të cilën do ta drejtojë.

“Ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik, dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë, e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë. Ne u përgjigjemi atyre. Prioritet i kemi drejtësinë dhe punësimin”, ka thënë Kurti.

Por, në Departamentin Amerikan të Shtetit kanë kërkuar një tjetër qasje nga Kurti, i cili pritet që shpejt të bëhet kryeministër.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke. Ne do ta inkurajojmë qeverinë e re, pasi ajo të formohet, që t’i prioritizojë këto negociata”, ka deklaruar Ned Price, zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.

KOHA ka provuar ta marrë një përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje në raport me këtë qëndrim të SHBA-së. Por, kanë refuzuar të deklarohen.

Nevojën për dialog dhe marrëveshje me Serbinë e ka shtruar një ditë më parë vetë presidenti amerikan, në një letër urimi adresuar presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Aty ka theksuar se marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë.

Në një letër urimi, të njëjtën e ka thënë të mërkurën edhe sekretari amerikan i Shtetit.

“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e përqendruar në njohje reciproke, do të kërkojë nga të gjitha palët që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis”, ka thënë Antony Blinken, Sekretar amerikan i Shtetit.

Kur vitin e shkuar Qeveria u rrëzua me mocion mosbesimi, Albin Kurti drejtoi gishtin kah Richard Grenelli, të cilin tashmë ish-presidenti Donald Trump e kishte caktuar përfaqësues të posaçëm për dialogun. Në zgjedhjet presidenciale amerikane, që u mbajtën në fundvit, Kurti bëri thirrje të hapur që të mbështetej Joe Bideni.