Arbëri

Nxënësit për Pavarësinë

Janë mbledhur një ditë para shënimit të 13-vjetorit të Pavarësisë. Kanë përgatitur aktivitete të shumta për nder të kësaj dite. Por nuk ka shumë nxënës, për shkak se është kohë pandemie. Janë këta nxënësit e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë. Siç e do rendi, festa nis me këngë.

Djaloshi që po performon këtë këngë shprehet shumë i lumtur që është pjesë e programit. Për shkak se ka lindur në vitin 2008, kur u shpall pavarësia, të gjithë e thërrasin djali i pavarësisë.

“Ky aktivitet ka qenë për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Edhe pse sot nuk është ajo ditë, nesër besoj që e dini që të gjitha institucionet janë mbyllur, kështu që nuk kemi mundur me planifiku për nesër dhe e kemi bërë sot. Për mua ky është viti i parë që e kam bërë një aktivitet kësilloji, por shkolla jonë ka organizuar edhe aktivitete të tjera për ditë të ndryshme”, thotë Nart Bajra, nxënës i kësaj shkolle.

Pas këngës është koha për kuiz. Kësaj radhe, pjesëmarrës janë nxënësit e klasave të 9-ta. Pyetjet që po shfaqen në ekran i kanë përgatitur mësimdhënësit.

“Jemi mbledhur këtu për nder të festës së 17 Shkurtit dhe kemi mbajtur një kuiz me nderu historinë e shtetit të Kosovës. Këtë kuiz e ka organizuar arsimtarja e historisë Donika dhe këtu jemi nxënësit e klasës së 9....Jena përgatitur mjaft mirë edhe është nder se këtu e ke mundësinë me fol për historinë e vendit tonë se si ka ndodhur dhe me qenë krenare për me ditë historinë e vendit tënd dhe me tregu”, thotë Anika Shabani, nxënëse e klasës së nëntë.

Mësimdhënësja Donika Xhemajli tregon se gjatë tërë muajit shkurt shkolla “Faik Konica” ka organizuar aktivitete të ndryshme me nxënës për nder të Ditës së Pavarësisë. Ajo tregon se nxënësit me padurim kanë marrë pjesë në kuizin me pyetje kryesisht të historisë.

“D.m.th. kjo është praktika si festojmë, duke luajtur, duke u argëtuar, duke u sfiduar me nxënës në lojën kuiz...Pos historisë që është shumica e pyetjeve, patjetër se përdorim p.sh. kulturë, këngë, filma, burime të kohës, aktualitet dhe qasja jonë nuk është m’i sfiduar nxënësit, po pak tu luajt me njoft më shumë historinë...Besoj se ju pëlqen shumë se nuk hezitojnë me ardhë, një javë më përpara i thërrasim dhe vijnë”, thotë ajo.

Festa nuk mungoi as në shkollën “Elena Gjika” në kryeqytet. Të veshur me simbole shtetërore, nxënësit e klasës së 4-t kënduan këngë kushtuar shtetit të Kosovës.

“Nesër është 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall më 17 shkurt të vitit 2008, ku pas një kohe shumë të gjatë Kosova arriti të bëhej shtet i pavarur. Ne i kemi bërë disa projekte të shumta, kemi shkruar gjëra të ndryshme çfarë dimë për Kosovën, kemi bërë foto të njerëzve që kanë kontribuar për pavarësinë dhe kemi festuar së bashku”, shprehet Freskin Gashi, nxënës i kësaj shkolle.

E nxënës të klasës së parë po bëhen gati ta nisin mësimin. Paraprakisht mësimdhënësja po jua vendos në kokë kapelat me flamurin e Kosovës që ua ka sjellë nga shtëpia. Pas kësaj nis orën që do t’i kushtohet festës së Pavarësisë. Vogëlushët për herë të parë po mësojnë për shpalljen e pavarësisë.

“Sot është një ditë e veçantë dhe kështu edhe tek fëmijët duhet ta bartim këtë dhe duhet t’ju tregojmë që është dita e shtetit të tyre. Pasi është klasë e parë kemi shkuar me gjëra shumë të thjeshta, mirëpo me ditë se çka e dallon shtetin e Kosovës prej shteteve të tjera edhe përgatitemi me fol për fëmijët e flamurin, çka do të thonë yjet, flamuri, nuk do të shkojmë më gjatë, mirëpo në gjëra që duhet t’i dijë secili fëmijë”, tregon Eranda Syla-Sylejmani, mësimdhënëse.

Në vitet e kaluara, me vendim të Ministrisë së Arsimit, çdo 16 shkurt ora e parë mësimore i është kushtuar Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Gjatë asaj ore, mësimdhënësit kanë folur për rëndësinë e kësaj dite. Mirëpo kësaj radhe shkollat nuk kanë marrë një kërkesë të tillë nga Ministria dhe drejtoritë komunale.

Këtë orë shkollat janë zotuar se, megjithatë, do ta mbajnë, por këtë vit një ditë pas shpalljes së pavarësisë.