Arbëri

Osmani: S’duhet të prodhojmë brez të ri të mërgimtarëve, por të kontribuuesve për atdheun

Descriptive Text

Duke kërkuar unitet, përkushtim, vullnet e atdhedashuri për të mbrojtur shtetin në çdo rrethanë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka nevojë për të krijuar një brez të ri të kontribuuesve për të mirën e atdheut.

Në manifestimin qendror të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Osmani ka thënë në 13-vjetorin e Pavarësisë së shtetit se pa “rezistencën e prirë nga presidenti Ibrahim Rugova, sakrificën sublime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjes Jashari e të gjithë heronjve dhe popullit të Kosovës, liria e Kosovës do të mbetej vetëm ëndërr”.

“Liria dhe pavarësia s’janë aktet e vetme të bërjes së shtetit, kemi rrugë të gjatë për të forcuar pozicionin tonë e për ta bërë Kosovën strehë të sigurt për çdo qytetar. Kemi arritur të bëjmë perspektivë jo të kënaqshme. Duhet të ndalet ky trend që secili të jetë krenar me vendin e tyre. S’duhet të prodhojmë brez të ri të mërgimtarëve, pro të kontribuuesve për vendin e tyre. Rinia duhet të jetë e gatshme të kontribuojë për vendin tonë. Sot më shumë se kurrë duhet të tregojmë që t’i japim shtetit tonë drejtimin e duhur. Sot vendit tonë i duhet solidaritet, unitet e kohezion institucional sepse projekti për shtetin sovran të pavarur e demokratik vazhdon”, ka thënë Osmani më tej duke shtuar se Kosova synon integrimin në Bashkimin Evropian e që shpejt të jetë pjesë e NATO-s.

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka thënë se Pavarësia e Kosovës është ëndërr e realizuar e gjeneratave që sakrifikuan çdo gjë, por se duhet shumë punë për të realizuar aspiratën për integrimet euro-atlantike të Kosovës.

“Përvjetorët janë momente të veçanta, për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi. Me shumë mirënjohje përkulemi para kontributit të të gjithë atyre që udhëhoqën rezistencën paqësore dhe ushtarake dhe para gjakut të dëshmorëve. Ditët si këto, na sjellin në vëmendje vlerat më të larta të atdhedashurisë, që jetojnë në përjetësi. Ndërkohë, në ditët si këto ne marrim fuqinë dhe përkushtohemi për borxhin që iu kemi fëmijëve tanë që Kosovën ta bëjmë një vend të realizimit të ëndrrave të çdo të riu, çdo prindi e çdo gjyshi, çdo mësuesi, çdo artisti, çdo bujku dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pavarësia e Kosovës është një ëndërr e realizuar e gjeneratave që sakrifikuan çdo gjë; ndërkohë që mbetet shumë punë për të realizuar aspiratën për integrimet Euro-atlantike të Kosovës. I tillë ishte vizioni dhe amaneti i heronjve tanë, të cilët na ndriçuan rrugën në luftën çlirimtare. Por, ambicia e tyre, nuk mbaron këtu. Kjo ambicie rritet dhe zhvillohet çdo ditë, ashtu siç po konsolidohet dhe avancohet demokracia, si vlera më e lartë dhe më e çmuar e gjithë historisë njerëzore. Prandaj, sot, në përvjetorin e 13-të të shtetësisë së Kosovës, festojmë ëndrrën e realizuar të heronjve, që shprehet si një gërshetim i vlerave për shërbimin dhe dashurinë për atdheun; për t’i dhënë mundësinë këtyre djemve dhe vajzave për t’u rreshtuar me krenari në radhët e ushtrisë, që forcon themelet e shtetit tonë. Edhe në këtë përvjetor, kujtimi dhe mirënjohja për kontributin e pashembullt na bëhen udhërrëfyes që na jep forcë për të ngritur flamurin e Kosovës përkrah vendeve më të fuqishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare. Të gjithëve qytetarëve të Republikës së Kosovës, gëzuar Dita e Pavarësisë", ka thënë Hoti.