Arbëri

Trendafilova pretendon se mund të këtë tentime për t’i amnistuar të dënuarit e Speciales

Descriptive Text

Përpjekje për ndryshime ligjore që do të amnistonin të dënuarit e mundshëm të Gjykatës Speciale ka përmendur kryetarja e kësaj gjykatë Ekaterina Trandafilova para ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Hagë.

Në një paraqitje të saj në këtë takim të mbajtur me datë 11 shkurt me ftesë të ambasadorit portugez në Hagë, ajo ka numëruar disa nga pengesat që ka pasur ose ka institucioni që e drejton.

KOHA ka siguruar adresimin në formë të shkruar të Tradafilovës për ambasadorët e BE-së.

Për shembull, ka pasur thirrje të reja për kapjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me anë të kërkesave për rishqyrtimin e vendimit të saj nga prilli i 2015-s, që hapi rrugën për krijimin e KSC-së dhe SPO-së. Ngjashëm, ka pasur thirrje edhe për mbledhjen e nënshkrimeve rreth amendamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorëve të Specializuar, gjë kjo që ndonëse ligjërisht nuk është e mundur, mund të ketë pasoja skajshmërisht problematike po qe se ndiqet nga Qeveria e Kosovës. Më specifikisht, tentimet mund të bëhen për amendamentimin e Ligjit ashtu që të lejohen faljet për ata që janë dënuar nga KSC-ja apo për të zhvendosur ose selinë e KSC-së apo arkivat drejt Kosovës, apo që të dyja.

Nëse një gjë e tillë ndodh, sipas saj, do të rrezikohej jeta e njerëzve që kanë pranuar të bashkëpunojnë me këtë gjykatë dhe për prokurorët do të ishte e pamundshme të vazhdonin me rastet gjyqësore të hapura.

Ajo ka thënë se çdo ndryshim duhet të bëhet vetëm në konsultim me Bashkimin Evropian.

Trandafilova ka thënë se tanimë është e domosdoshme që kjo gjykatë të ketë marrëveshje bashkëpunimi me shtetet e tjera, në mënyrë që të sigurohen dëshmi që do të përdoren në gjykime.

“Pa këto marrëveshje, do të jetë tejet e vështirë, nëse jo edhe e pamundur në disa raste, për t’u siguruar se dëshmitë do të jepen lirshëm dhe pa ndonjë frikë. Bashkëpunimi është po ashtu vendimtar, në mënyrë që të ketë mundësi për t’iu qasur shteteve me kërkesat për ngrirjen e aseteve dhe të ardhurave, ashtu si edhe për transferimin e personave nga territori i shteteve te selia e Dhomave të Specializuara”, ka thënë ajo.

Në këtë letër ajo ka folur edhe për tri proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar në Hagë. Ka thënë se deri tani gjyqtari i Procedurës Paraprake ka nxjerrë 300 vendime përfshirë edhe urdhra të ndryshëm në këto procese gjyqësore.

Në këtë adresim ajo ka përmendur se 7 kosovarët që po mbahen në paraburgim po trajtohen mirë dhe si shembull ka përmendur se u është mundësuar edhe të votojnë.

“Unë jam e lumtur t'ju informoj se të shtatë të arrestuarit po trajtohen në përputhje me standardet më të larta në objektet e paraburgimit të DhSGJS.. Një shembull është ndihma e ofruar nga Menaxhmenti i Paraburgimit i DHS për lehtësimin e votimit të të akuzuarve në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë”, ka thënë ajo.

Në Kosovë ka pasur disa tentativa për ta shpërbërë Gjykatën Speciale. Këto tentativa janë përmendur edhe në arsyetimet e mbajtjes në paraburgim për ish-eproret e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.