Arbëri

Haziri uron VV-në dhe Osmanin, premton rikthimin e madh të LDK-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosjen dhe Vjosa Osmanin për suksesin e arritur në zgjedhjet e djeshme parlamentare, derisa ka premtuar rikthimin e madh të partisë që i përket.

Haziri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se LDK-ja duhet të vazhdojë të kontribuojë në stabilitetin e vendit.

“E uroj VV-në dhe Vjosa Osmanit për suksesin në këto zgjedhje. LDK-ja duhet të vazhdojë t’i bashkojë të gjitha pjesët e saj, brenda e jashtë, për rikthimin e madh. Të kontribuojë në stabilitetin e vendit dhe mirëqenien e Republikës”, shkroi Haziri.

Haziri tregoi se e gjithë kryesia e LDK-së është në dorëheqje, gjë që sipas të parit të Gjilanit, ndodh për herë të parë në këtë parti. Ai shtoi se kjo i hapë rrugë që të ftohet Kuvendi i partisë që të zgjidhet kryetari i ri.

“Dorëheqja e kryetarit të LDK-së dhe kryesisë, hap rrugë që të ftohet Kuvendi i LDK-së dhe zgjidhet kryetari e kryesia e re në nivel vendi. Si asnjëherë më parë në historinë e LDK-së nuk ka ndodhur që kryetari, nënkryetari, sekretari dhe kryesia, të japin dorëheqje për shkak të rezultatit zgjedhor”, shkroi Haziri.