Arbëri

Vonesa në marrjen e dokumenteve, nga 3 shkurti është pezulluar edhe aplikimi

Ka më shumë se dy javë që Latif Zeqiri nga Prishtina ka aplikuar për letërnjoftim në Qendrën për pajisje me dokumente në Prishtinë, por ende nuk e ka marrë dokumentin e tij. Të hënën ai shkoi për të pyetur nëse e ka gati dokumentin e identifikimit, por nuk mori përgjigje. Vonesa për t’u e pajisur me letërnjoftim thotë se po i shkakton probleme për pension.

“Thashë të marr letërnjoftimin po thanë nuk është bërë, s’di kur bëhet, qe nja dy javë kam aplikuar, veç mu endë përditë edhe kurgjë hiç, as na thanë s’e dimë kur bëhet. Hala s’i kom dorëzu letrat për pension, të vjetrën s’po ma pranojnë”, thotë ai.

Disa qytetarë prapa kamerës thanë se kanë aplikuar para 1 muaji dhe zyrtarët e kësaj qendre i kanë njoftuar se ka mungesë materiali për këto dokumente, andaj mund t’u vonohen. Që nga 3 shkurti në këtë institucion është pezulluar edhe shërbimi i aplikimit dhe qytetarëve po u sugjerohet të aplikojnë në komuna të tjera.

“Shkova me nxjerrë një certifikatë për djalë me ja nxjerrë letërnjoftimin kur erdha këtu roja më tha që krejt stafi jon me Covid dhe m’i dha do propozime me shkuar ose në Fushë-Kosovë, Graçanicë ose Vushtrri për letërnjoftim. Pa kanë dy prind me nënshkruar s’i lëshohet djalit se është nën moshën 17-vjeçare për ata m’u desh me humb punën për me shku me tërheq certifikatën, erdha këtu dhe mbeta”, ka deklaruar Sejdi Ismajli, qytetar nga Prishtina.

E disa qytetarë të tjerë i kanë orientuar për qendra të tjera.

“Kam ardhur për një letërnjoftim, i ka dalë afati, për me e vazhduar me thanë shko në Vushtrri ose Fushë-Kosovë se këtu nuk punojmë. Kur jam banor i këtuhit si me shku diku tjetër... Sot pushim e kam marrë veç me kry këtë punë, po s’po mundem”, ka thënë Ramiz Dobratiqi nga fshati Trudë i Prishtinës.

Në hyrje të objektit të Qendrës për pajisje me dokumente është vendosur një njoftim ku thuhet se pasi kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 disa zyrtarë të saj, është marrë vendim që të kufizohet ofrimi i shërbimeve me palë dhe do të ofrohen vetëm shërbime esenciale.

“Deri në përfundimin e procesit të testimit të stafit të kësaj qendre, të gjitha shërbimet e aplikimit për pajisje me dokumente mund të bëhen nëpër qendrat për pajisje me dokumente në rajonin e Prishtinës (Podujevë, Graçanicë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Drenas) apo edhe në qendrat e tjera më të afërta në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë njoftim.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk kanë treguar nëse ka mungesë të materialit për dokumente dhe vetëm kanë sugjeruar t’i referohemi njoftimit për infektimin e zyrtarëve me COVID-19.