Arbëri

Tri ditë program e logo me gabim për 13-vjetorin e Pavarësisë

Tri ditë do të ketë organizime kulturore e sportive për shënimin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Qeveria në detyrë ka bërë të ditur agjendën, e cila nis prej të martës. Pos kësaj, është prezantuar edhe logoja e këtij përvjetori të Pavarësisë. Krahas numrit 1, qëndron numri 3, që në pjesën lart paraqet edhe një pëllumb si simbol i paqes. Por ia kanë huq sa i përket drejtshkrimit. Në vend të “13 VJET TË PAVARËSISË”, është shkruar “13 VITE TË PAVARËSISË”. Logoja si gjithmonë vjen e kaltër, nga e cila dominohet edhe flamuri i shtetit më të ri të Evropës.

Të mërkurën, kur edhe shënohet përvjetori i Pavarësisë, ngjarjet fillojnë me ngritje të flamurit nga Garda Ceremoniale e FSK-së e më pas vazhdohet me homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, e pastaj në Prekaz. Pas një ceremonie tjetër në kazermën kryesore të FSK-së, është radha e hapjes së ekspozitës “Jeta dhe vepra e Sali Çekut”, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Po atë ditë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndahen çmimet vjetore për letërsi, dhe ai për vepër jetësore “Azem Shkreli”. Para recitalit të këngëtarit Ilir Shaqiri, që do të mbahet në orën 20:00, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, do të jetë nikoqire e pritjes shtetërore për 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Sa i përket programit kulturor do të jepet filmi “Zana” i Antoneta Kastratit, prej orës 17:00 dhe 19:00 në Kinemanë ABC në Prishtinë. Po atë mbrëmje do të jepet premiera e shfaqjes “Pamje revolucioni”, me regji të Kaltërim Balajt, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Paraprakisht të martën të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës janë udhëzuar që në orën e parë të mësimit të diskutojnë për 17 Shkurtin 2008, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

E marta do të ketë edhe një agjendë kulturore gjatë gjithë ditës. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita me fotografi të fotoreporterit Asllan Krasniqi. E pas lojës së veteranëve të futbollit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në mbrëmje janë dy koncerte. Ai i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, që do të mbahet në orën 17:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe koncerti festiv i Filarmonisë së Kosovës prej orës 19:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Ansambli do të interpretojë “Valle instrumentale për çifteli dhe orkestër”, “Vallja festive” e më pas solistët do të interpretojnë këngët: “Mora fjalë”, “Zëri i atdheut”, “Këngë për vëllezërit Gërvalla”. Pjesa tjetër e programit do të vazhdojë me veprën “Lulet e marsit”, nën koreografi të Xhemali Berishës bashkë me katër këngë të tjera, për t’u përmbyllur me “Festën e bashkimit” prapë nën koreografi të Fehmi Shaqirit.

Në koncertin e Filarmonisë së Kosovës do të interpretohet Simfonia e Vinçenc Gjinit, “Kosova – vatra atërore” e po ashtu do të jepet edhe premiera e veprës “Rrugëtimi” e Valton Beqirit. Veprat do të interpretohen nga Kori dhe Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Gridi Krajës.

Pjesë e “menysë” kulturore është edhe filmi “Babai” i regjisorit Visar Morina, që do të jepet në Kinemanë ABC.

Në agjendën zyrtare është renditur edhe shfaqja e Baletit Kombëtar të Kosovës “Exil”, me koreografi të Kreshnik Musollit, që do të jepet të enjten në orën 19:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.