Arbëri

Asnjë i vdekur, rekord testimesh dhe 246 raste pozitive me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Në 24 orët e fundit në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes nga COVID-19, ka njoftuar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në Facebook.

Zemaj, ka njoftuar se në 24 orët e fundit në Kosovë janë bërë numër rekord i testimeve 3031, ndërsa 246 persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin e ri.

“Brenda 24 orëve, kemi rekord testime që nga fillimi i pandemisë, 3.031 teste dhe nga këto mostra vetëm 246 kanë rezultuar pozitiv me Covid 19, apo në përqindje vetëm 8.1%, ndërsa asnjë qytetar nuk ka humbur jetën në betejën me Covid 19. Përgëzoj për punën e palodhshme Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në tërë Republikën e Kosovës! Të dashur qytetarë, kjo situatë e kontrolluar epidemiologjike është arritur falë bashkëpunimit të të gjithëve. Respektoni rekomandimet anti Covid. Bashkë ia dalim!” – ka shkruar Zemaj në Facebook.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 201 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 55.761 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.036.

Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 95 raste, Pejë 24 raste, Gjakovë 17 raste, Lipjan 13 raste, Podujevë 12 raste, Fushë-Kosovë 10 raste, Mitrovicë 10 raste, Gjilan 9 raste, Prizren 8 raste, Malishevë 6 raste, Rahovec 6 raste, Suharekë 5 raste, Skenderaj 4 raste, Vushtrri 4 raste, Deçan 3 raste, Istog 3 raste, Kamenicë 3 raste, Klinë 3 raste, Obiliq 3 raste, Drenas 2 raste, Graçanicë 2 raste, Viti 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Dragash dhe Ferizaj.