Arbëri

DnV: Partitë publikuan programet me vonesë, nuk respektuan masat anti-COVID gjatë fushatës

Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, ka mbajtur konferencë pas përcjelljes së fushatës 10-ditore të partive politike që po garojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Veton Mujaj nga DnV tha se mosrespektimi i masave anti-COVID në shumicën e aktiviteteve ka qenë evident.

“Kemi përcjellë çdo aspekt të fushatës për 10 ditë, ka qenë atmosferë e qetë me numër të konsiderueshëm aktivitetesh. Në shumicën e aktiviteteve nga partitë mosrespektimi i masave anti-COVID ka qenë shumë evident. Këto aktivitete janë shoqëruar me grumbullime të mëdha duke mos respektuar rregullat për distancë dhe maska”, tha ai.

Mujaj tha se pjesëmarrja e grave në aktivitete ka qenë e ulët dhe se partitë nuk kanë ofruar përfaqësim të barabartë, e se programet politike u publikuan me vonesë.

“Ndonëse shumë organizime kanë ndryshuar formën e tyre, premtimet kanë qenë vazhdimësi e trendeve të mëhershme. Programet politike u publikuan me shumë vonesë, ndërsa pjesëmarrja e grave në aktivitete ka qenë më e ulët se 30 për qind. Pjesëmarrja e grave ka qenë e ulët edhe në media, partitë nuk kanë ofruar përfaqësim të barabartë. Për 10 ditë kemi monitoruar 9 kanale televizive, në spote reklamuese, kronikat zgjedhore, lajmet. Kemi provuar me i përcjellë edhe portalet”, tha ai.

Mujaj tutje ka ftuar qytetarët që të dalin në votim, ndërsa shtoi se sivjet vëzhguesit do fokusohen në numrin paralel të votave.

“Ne si DNV u bëjmë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje, të shprehin mendimin e tyre lirshëm dhe pa frikë. Kemi 498 vëzhgues që janë gati, kemi të angazhuar edhe 100 ekipe mobile. Sivjet do te fokusohemi në numrin paralel të votave, ndryshe nga praktikat e kaluara. Secila votë ka vlerën e saj prandaj duhet të kujdesemi që të votojmë saktë. Nesër të mos rrimë në shtëpi, të vendosim maskat dhe të votojmë. DnV u bën thirrje partive të tregojnë maturi për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Mujaj.