Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Mustafa: Vetëm LDK-ja siguron përmbylljen e plotë të shtetësisë

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur virtualisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në disa qytete të Kosovës njëkohësisht. Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, ka thënë se vetëm LDK-ja e bën shtetin funksional dhe siguron përmbylljen e plotë të shtetësisë. Kurse kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, u bëri thirrje qytetarëve për mbështetje masive të LDK-së, duke thënë se kundërkandidatët e tij kanë bërë vetëm propagandë

Prishtinë, 12 shkurt - Ndryshe nga partitë e tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zgjedhur që përmbylljen e fushatës zgjedhore ta bëjë në mënyrë virtuale, pa grumbullim të qytetarëve. Videoja përmbyllëse është transmetuar të premten në ekrane, nëpër disa qytete në Kosovë.

Në videon përmbyllëse, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, është personalitet i matur dhe i sprovuar në detyrat më të rëndësishme shtetërore.

“Ndryshimi për LDK-në është ai që e forcon shtetin e Kosovës, e bën më funksional, që na siguron njohje të reja dhe përmbyllje të plotë të shtetësisë, me njohje nga 5 vende të BE-së, anëtarësim në OKB dhe në NATO”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka theksuar se partia e tij mbështet ndryshimin, por jo ndryshimin si propagandë.

“Shteti është mbi të gjitha. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, vlerë e veçantë është familja, integriteti i saj, kujdesi, edukimi, ardhmëria e fëmijëve, perspektiva e të rinjve”, ka deklaruar Mustafa.

Kryetari i Partive Popullore Evropiane (PPE), Donald Tusk, përmes një fjalimi në distancë nga Brukseli, i ka dhënë përkrahje Hotit, për të cilin tha se ka përvojën më të mirë dhe aftësinë qeverisëse për ta drejtuar Kosovën.

“Në këto kohë të trazuara, vetëm një ekip me përvojë do të ketë sukses në avancimin e Kosovës, duke sjellë rritjen dhe prosperitetin e saj, duke luftuar për pavarësinë e gjyqësorit, shtypin e lirë dhe kundër korrupsionit, duke forcuar sundimin e ligjit dhe pranimin e institucioneve të shtetit, si dhe ndarjen e pushteteve në mënyrë transparente”, është shprehur Tusk.

E Avdullah Hoti, që synon një tjetër mandat si kryeministër, është shprehur i bindur në fitore të dielën. Ai ka deklaruar se gjatë fushatës vetëm LDK-ja ka prezantuar program të qartë qeverisës për zhvillimin e vendit.

“Kosova ka nevojë për normalitet dhe stabilitet në qeverisje. Këtë e siguron vetëm vizioni dhe programi i Lidhjes sonë, që do të zbatohet me një ekip profesional. Prandaj, ju ftoj të na jepni besimin e juaj më 14 shkurt”, ka thënë Hoti.

Ai i ka porositur qytetarët të mos mashtrohen nga premtimet e kundërshtarëve politikë të tij.

“Ato premtime nuk bazohen në asnjë program. Ju ftoj të krahasoni qeverisjen tonë me qeverisjet e kaluara. Ata merreshin me teori konspirative për harta e thika në Shtëpinë e Bardhë. Ne komunikonim drejtpërdrejt me miqtë tanë perëndimorë”, ka shtuar Hoti.

Siç ka thënë Hoti, LDK-ja nuk angazhohet për pushtet, por për shtet. Edhe në mbyllje të fushatës Hoti ka ripërsëritur disa nga premtimet që ka bërë gjatë 10 ditëve fushatë. Videoja përmbyllëse e fushatës së LDK-së përveç kryeqytetit është transmetuar edhe në Ferizaj, Pejë, Prizren, Vushtrri, Gjilan, Fushë-Kosovë, Junik, Klinë, Deçan e Rahovec. Në Prishtinë një qytetar ishte më kureshtar të dëgjonte se çfarë thuhej aty. “Për herë të parë po e shoh një takim fushate në këtë mënyrë. Unë jetoj në Gjermani dhe atje politika është ndryshe nga këtu në Kosovë. Po dëgjoj se çfarë po thonë”, ka thënë ai.