Arbëri

Programe të pashtjelluara e premtime përtej mundësive buxhetore

Premtime që nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë dhe janë përtej limiteve buxhetore kanë zotuar partitë politikë në dhjetë ditët e fushatës parazgjedhore. Derisa në përdorim u vu edhe karta e bashkimit me Shqipërinë, partitë hezituan të flasin për temat që i presin kur të vijnë në qeveri - siç është dialogu me Serbinë

Prishtinë, 12 shkurt - Programe të pashtjelluara dhe të mbushura me premtime që nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë për problemet kryesore- kanë shpërndarë partitë politike në 10 ditët e fushatës parazgjedhore. Pjesë e diskursit ishte edhe karta e bashkimit me Shqipërinë, të cilën e promovoi kandidati i Aleancës për president, Ramush Haradinaj. Ai u çoi mesazh aleatëve që nëse nuk e pranojnë Kosovën në NATO do të shikohen alternativa të tjera.

Por një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, nëpërmjet KOHËS e ka bërë të qartë se mbështesin Kosovën sovrane dhe multietnike.

“Ne mbështesim një Kosovë sovrane, të pavarur, multietnike. Diversiteti është një vlerë themelore që ne e ndajmë me Kosovën dhe kjo është e theksuar në Kushtetutën e saj. Mesazhi ynë mbi integrimin aktual dhe të ardhshëm të Kosovës në institucionet perëndimore ka qenë i qëndrueshëm dhe i qartë: Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë Kosovës, ndërsa vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj euroatlantike”, ka thënë ky zëdhënës.

Vëzhgues të fushatës parazgjedhore thonë se premtimet e partive janë të parealizueshme edhe nëse arrijnë ta çojnë në fund një mandat të plotë.

“Nga ajo që kemi monitoruar gjasat e mëdha janë që asnjëra prej partive politike të mos ketë mundësi ta zbatojë gjithë programin e tyre, marrë parasysh se ka nevoja shumë të mëdha. Programet nuk janë në proporcion me atë që kërkohet. Premtimet e kandidatëve për kryeministër dhe programet në përgjithësi i tejkalojnë edhe limitet buxhetore në të shumtën e rasteve”, ka thënë Allen Meta nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

Kurse Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se programe ka pasur secili subjekt, por shumë vonë kanë filluar t’i bëjnë publike.

“Pas ditës së pestë apo të gjashtë kanë filluar me u shfaq publikisht programet e disa subjekteve. Çka kemi pa është se kanë qenë tema të zakonshme si: arsimi, shëndetësia, mungesa e punësimit për të rinjtë. Në disa raste ka qenë edhe integrimi evropian dhe liberalizimi i vizave”, ka thënë ai.

Edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) programet i ka quajtur të mangëta, të pashtjelluara mirë dhe jokonkrete.

“Programet janë kryesisht të paelaboruara dhe nuk përmbajnë asnjë të dhënë që mundëson të kuptohet motivi/arsyeja e propozimeve dhe prioriteteve të dhëna; programet nuk ofrojnë në asnjë rast planifikim të kostos financiare të reformave dhe intervenimeve programore të identifikuara”, thuhet në një analizë të këtij instituti.

“Programet nuk përcaktojnë afate kohore konkrete për reformat apo intervenimet në politikat publike të identifikuara si prioritare, si dhe programet kryesisht, nëse jo në tërësi, paraqesin premtime për intervenime fasadë, të përkohshme, dhe qasje afatshkurtër, të cilat nuk adresojnë zgjidhje afatgjatë për problemet kronike të fushave përkatëse”.

Në fushatë u zhvillua edhe një betejë mes PDK-së e Nismës se kush i mbron vlerat e UÇK-së.

Subjektet e tjera hezituan të flasin për temat që i presin kur të vijnë në qeveri- siç janë politika e jashtme dhe dialogu me Serbinë. Në programin prej 52 faqesh, Lëvizja Vetëvendosje kurrkund nuk përmend bisedimet me shtetin serb.

E Lidhja Demokratike vazhdoi ta proklamojë veten si forca e cila riktheu partneritetin me SHBA-në.

Partitë nuk respektuan masat anti-COVID që vetë i kanë miratuar duke mbajtur tubime përtej numrit të lejuar. Kjo, përmendur nga zëdhënësi i Ambasadës amerikane që, megjithatë, ka kërkuar që pandemia të mos jetë justifikim për abstenim nga votimi, teksa janë ftuar qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë.

“Ndërsa është e rëndësishme që të gjithë qytetarët të kenë mundësi t’i ndajnë mendimet e tyre dhe të marrin pjesë në procesin demokratik, ne kërkojmë që këtë ta bëjnë në mënyrë të sigurt. Gjatë fushatës shumë pak njerëz janë duke respektuar masat themelore shëndetësore – për të qëndruar në shtëpi dhe për të shmangur tubimet e mëdha, duke mbajtur maskën dhe respektuar distancën”, ka thënë ky zëdhënës.

“Ju lutemi dilni dhe votoni, por bëjeni atë në mënyrë të sigurt. E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja. Ndërsa Ambasada dhe partnerët tanë ndërkombëtarë mbesin thellësisht të angazhuar, në fund të fundit varet nga institucionet e Kosovës dhe populli i Kosovës, për t’u siguruar që zgjedhjet të jenë të lira, të drejta dhe paqësore”.

Këtë të diel mbahen zgjedhjet e parakohshme- të tetat me radhë që nga paslufta.