Arbëri

Mërgimtarët ia mësyjnë Kosovës për zgjedhje, për 3 ditë janë planifikuar 81 fluturime

Dalja në zgjedhje është një nga arsyet për të cilën bashkatdhetarë të shumtë ia kanë mësyrë Kosovës këtë të premte.

Xhafer Shkodra është njëri nga ta. Ai thotë se mospranimi i aplikimit për votim me postë ka bërë që të vijë në Kosovë.

“Atje e kam bërë kërkesën për të votuar, kam aplikuar, katër gjithsej, vetëm për tre persona e kanë pranu, mua jo dhe jam detyruar të vij në Kosovë të votoj”, ka thënë ai.

Për vetëm tri ditë e për të votuar në Kosovë këtë të premte kanë ardhur edhe Hamide Daka e bashkatdhetarë të tjerë.

“Kam ardhur veç me votu edhe me e bë një ndryshim se boll më”, ka thënë ajo.

Ngjashëm thonë edhe shumë qytetarë të tjerë.

Megjithëse i lehtësoi masat një ditë më parë, Qeveria e Kosovës nuk i zbuti ato për qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

Sipas vendimit të marrë të enjten, “qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit”, në të kundërtën duhet të vetizolohen për 7 ditë.

Ky veprim i Qeverisë nuk i ka pëlqyer mërgimtarëve.

Vendimin e tij e ka arsyetuar Ministri në detyrë i Shëndetësisë.

Nga Aeroporti i Prishtinës kanë bërë të ditur se ka rritje të numrit të fluturimeve, derisa Gjermania e Zvicra prijnë listën e tyre.

“Nëse krahasojmë vikendin që po lëmë pas me vikendin që po presim atëherë kemi një rritje të fluturimeve prej 10 nga to. Sot 16 fluturime, të shtunën 35 fluturime e diela me 30 e kështu me radhë”, ka thënë Bujar Gashi, zëdhënës për media në Aeroportin e Prishtinës.

Në anën tjetër, sipas Policisë së Kosovës, brenda 24 orëve në Kosovë kanë hyrë 6 mijë e 723 vetura, 172 autobusë e gjithsej 16 mijë e 800 persona.

Lidhur me ecurinë e votimit të personave që vijnë nga jashtë dhe me respektimin e masës për vetizolim, KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur këtë të premte.