Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Haradinaj premton përkrahje për Junikun dhe kategoritë e luftës

“Juniku, duke e votuar Aleancën, është më i sigurti. S'ka vend ku e vendos votën më sigurt, sepse jemi nga i njëjti vend. E njohim njëri-tjetrin, ndajmë vlera të përbashkëta dhe kemi dëshirë për ta parë këtë vend të zhvilluar”, ka thënë ndër të tjera lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në tubimin e mbajtur në Junik. AAK-ja ka mbajtur takime edhe në Drenas, prej nga Haradinaj ka premtuar forcimin e Ushtrisë

Junik, 11 shkurt – Ramush Haradinaj, të cilin AAK-ja po e promovon si president në ardhje, tha se ka ëndërr ta shohë qytezën e Junikut me kalldrëm. Në takim më mbështetësit e Aleancës, ai foli për vlerat e përbashkëta të këtij subjekti dhe Komunës së vogël të Junikut.

“Junik e Aleancë nuk ndahen për shkak se jemi vlera që qytetari ynë, besoj secili prej nesh, i ka pranuar si të vetat. Unë do t'i them edhe 2-3 fjalë për 14 shkurt për votën. Juniku, duke e votuar Aleancën, është më i sigurti. S'ka vend ku e vendos votën më sigurt, sepse jemi nga i njëjti vend. E njohim njëri-tjetrin, ndajmë vlera të përbashkëta dhe kemi dëshirë për ta parë këtë vend të zhvilluar. T'ju them të drejtën, unë kam dëshirë që ta shoh Junikun komunën më të zhvilluar, më të bukurën, më të mirën. E meriton”, është shprehur ai gjatë tubimit në këtë komunë.

Përveç Komunës, ka premtuar mbështetje edhe për kategoritë e dala nga lufta.

"Dua t'ju them se UÇK-ja me mua president nuk ka jetimë. As këtu, as kudo qofshim. E kuptoni se ç'po flas. Luftëtari i UÇK-së, kategoria e lirisë nuk është jetim", ka deklaruar Haradinaj.

Me një tubim më të vogël se në shumë komuna, junikasve u ka thënë se secila votë ka peshë për partinë e tij.

“Mos e leni votën në shtëpi, ju lutem! Pesha juaj vjen prej çdo vote, fuqia juaj vjen prej çdo vote, forca juaj vjen prej çdo vote, por edhe forca e të gjithë neve në Kosovë vjen prej çdo vote, ju lutem që çdonjëri prej jush të dalë të votojë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkaq në Drenas, ku e vazhdoi fushatën, ai është shprehur se AAK-ja është i vetmi subjekt politik me plan serioz për ekonomi, që përfshin pakon prej 1 miliard eurosh për biznese e qytetarë, themelimin e Bankës Kosovare për Investime e Zhvillim dhe të tregut të bursës në Kosovë. Atje ka folur edhe për forcimin e kapaciteteve të sigurisë e mbrojtjes.

“Duhet ta kemi ushtrinë e fortë. Duhet ta forcojmë ushtrinë më shumë. Ta rrisim në çdo dimension, në çdo parametër. Jo për ta rrezikuar dikë, por për të qenë të mbrojtur të kemi garanci. Të gjithë infrastrukturën e sigurisë, të gjitha institucionet e tjera të sigurisë, edhe AKI-në, edhe institucionet e tjera duhet t’i ngritim në nivel të situatës, në nivel të përgjegjësive, në nivel të rajonit”, ka thënë ai.

Haradinaj gjatë të enjtes ka reaguar edhe lidhur me vërshimet e fundit që kanë prekur pjesë të ndryshme të vendit, duke e shpërndarë një video ku shihet bashkë me kryetarin e Degës së AAK-së në Klinë, Zenun Elezaj.

“Sot së bashku me kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj, vizituam fshatin Volljakë, që është përfshirë nga vërshime të mëdha si pasojë e reshjeve të fundit. Gjendja është alarmante dhe bëj apel te institucionet qendrore për një mobilizim të menjëhershëm me qëllim të intervenimit, përballjes dhe sanimit të kësaj hapësire nga pasojat e përmbytjeve”, ka shkruar ai në përshkrim të videos në Facebook.