Arbëri

Diaspora dhe zgjedhjet në Kosovë: Betejë për çdo votë, protesta dhe bileta avioni për në Prishtinë

Descriptive Text

Gazeta javore zvicerane “Wochenzeitung” shkruan se zgjedhjet e së dielës në Kosovë janë vendimtare.

Arton Dema është postier në kantonin e Zürichut në Zvicër. Ai rrjedh nga fshati Zhegër i komunës së Gjilanit. Ndonëse postier zviceran, Dema pyet veten nëse vota e tij do të mbërrijë me kohë në Kosovë, pra deri më 12 shkurt. (Më 14 shkurt mbahen zgjedhjet parlamentare). Arton Dema, 38-vjeçar, ka vendosur të udhëtojë në Kosovë për të votuar në zgjedhjet e së dielës. Sipas gazetës javore zvicerane “Wochenzeitung” Dema ka harxhuar 400 franga për biletën e avionit dhe 300 për teste të koronavirusit. Të tjerët 700 franga mund t’i japin për Ditën e Shën Valentinit, Arton Dema i harxhon për të votuar në Kosovë.

Fshati Zhegër, sipas “Wochenzeitung”, quhet “Zvicra e vogël” pasi që shumë banorë jetojnë në Gjenevë dhe e mirëmbajnë infrastrukturën – rrugët, shkollat, pullazet. “Gjatë pandemisë dërgesat financiare nga diaspora janë shtuar”, thotë Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës. Kjo, sipas saj, tregon lidhjen e ngushtë të diasporës me vendlindjen. “Pas luftës kemi shpresuar se Kosova do të bëhet Luksemburgu i Ballkanit”, thotë Arton Dema, i cili krahas punës si postier punon edhe në Muzeun Nacional të Zvicrës në Zürich.

Mbi 102 mijë votues nga diaspora janë regjistruar për të votuar. “Një e katërta e të gjithë atyre që kanë të drejtë të votojnë nga bota e jashtme dhe dyfish më shumë se më 2019”, thotë Liza Gashi, ish-zevendësministrja e Jashtme dhe për Diasporë. Gashi merrem me hulumtime mbi diasporën, ajo supozon se rreth një milion shqiptarë të Kosovës jetojnë të shpërndarë nëpër botë, por mbajnë lidhje të ngushta me njëri-tjetrin. “Këta janë shqiptarët globalë”, thotë Gashi. Ajo supozon se vetëm për tarifa postare diaspora do të paguajë rreth 6 milionë euro. “Duhet të mundësohet votimi në Ambasada dhe Konsullata ose zarfet të sillen me postë diplomatike”.

Një mendim më pak diplomatik e ka Eleonit Smajli, 23-vjeçar. Ai thotë: “E drejta jonë për të votuar po shkelet me këmbë”. Javën që shkoi ai bashkë me studentë të tjerë shqiptarë organizoi një protestë para selisë së OKB-së në Gjenevë. Smajli është njëri nga themeluesit e platformës “Du me votu”, e cila u ndihmon njerëzve për t’u orientuar në xhunglën burokratike. Ai pret më shumë participim demokratik pas fitores së Albin Kurtit. “Nuk duam vetëm të ndërtojmë vila në Kosovë ku gjatë vitit dikush jeton aty vetëm tri javë. Duam të investojmë në atë vend”, thotë Smajli.