Arbëri

Punëtorët shëndetësorë paralajmërojnë padi ndaj politikanëve nëse rritet numri i rasteve me COVID-19

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka paralajmëruar padi ndaj politikanëve në Kosovë, në rast se do të ketë rritje të rasteve të reja me COVID-19 si pasojë e tubimeve elektorale ku s’po respektohen fare masat.

Në një reagim të FSSHK-së thuhet se në situatë me pandeminë, “patriotizëm, atdhedashuri dhe përkushtim për vendin tregojnë të gjithë ata që respektojnë masat, vendosin maskat, respektojnë distancën sociale e këtë gjë nuk po e shohim tek partitë politike pa përjashtim”.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës me shqetësim është duke përcjellë tubimet publike të partive politike garuese në zgjedhjet e parakohshme të cilat nuk i përmbahen masave të përcaktuara me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës si dhe rekomandimeve të IKSHPK-së, duke rrezikuar në masë të madhe shëndetin e popullatës në përgjithësi dhe punëtorëve shëndetësorë në veçanti sepse studimet e fundit në Britaninë e Madhe kanë treguar se punëtorët shëndetësorë janë 4 deri në 5 herë më të ekspozuar (rrezikuar) ndaj infektimit se pjesa tjetër e popullsisë”, thuhet në reagim.

“Andaj, FSSHK e shqetësuar tej mase me sjelljet e figurave politike sikurse nuk ekziston virusi, sikurse jemi në situatë normale paralajmëron të gjitha partitë politike që përgjegjësia në rast të rritjes së numrit të infektuarve me COVID-19 bie mbi ta dhe për këtë do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore deri në parashtrim të padisë për rrezikim të shëndetit të përgjithshëm të popullatës e në veçanti të punëtorëve shëndetësorë”, përfundon reagimi i punëtorëve shëndetësorë.

Asnjë nga partitë politike në vend nuk është duke respektuar masat për luftimin e koronavirusit, edhe pse vetë kishin miratuar këtë ligj vitin e shkuar. Vetëm dy komuna deri tash kanë shfrytëzuar ligjin për t’i dënuar partitë për shkelje, Komuna e Prishtinës dhe ajo e Prizrenit.

Si pasojë e COVID-19 në Kosovë kanë vdekur 1526 persona. Janë edhe 6791 raste aktive nga mbi 62 mijë të regjistruar deri tash.