Arbëri

Për 6 muaj, ministri Agim Veliu me kabinet, shpenzoi mbi 15 mijë euro

Foto: Alban Bujari / KOHA

Mbi 15 mijë e 480 euro ka shpenzuar ministri në detyrë, Agim Veliu, me kabinetin e tij, për gjashtë muaj.

Në kohë pandemie, nga muaji qershor deri në dhjetor, vetëm për shpenzime të reprezentacionit, Veliu ka shpenzuar 1 mijë e 846 euro e 70 centë. Së bashku me 10 anëtarët e tjerë të kabinetit të tij, për gjashtë muaj, për dreka e darka ai ka harxhuar 5 mijë e 540 euro e 75 centë.

Sipas të dhënave të siguruara pas kërkesës për qasje në dokumente publike, më së shumti, apo 1 mijë e 244 euro e 75 centë, janë shpenzuar në muajin shtator.

Nga kabineti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas Veliut, më së shumti ka shpenzuar zv.ministri Milan Radojeviq.

Rreth një mijë euro më shumë sesa për reprezentacion, kabineti i Veliut ka shpenzuar për karburante.

Për gjashtë muaj janë shpenzuar 6 mijë e 260 euro, derisa më së shumti shpenzime janë bërë në muajin nëntor, apo 1 mijë e 212 euro e 20 centë.

Rreth tre mijë euro më pak sesa për karburante, ministri në detyrë, Agim Veliu, së bashku me katër zv.ministrat, shefin e kabinetit e pesë këshilltarët, ka harxhuar për telefon mobil.

Nga muaji qershor deri në dhjetor, kabineti i Veliut ka shpenzuar 3 mijë e 150 euro.

Më së shumti nga të gjithë, shpenzime në telefon ka pasur ministri në detyrë, Agim Veliu.

Krahas të dhënave për reprezentacion, që përfshijnë shpenzimet gjatë takimeve zyrtare, ministri në detyrë i MBP-së, për dy muaj, korrik dhe gusht, sipas të dhënave, në kategorinë e veçuar të shpenzimeve për dreka me delegacione, ka shpenzuar 349 e 80 euro, derisa këshilltari i tij në muajin dhjetor 181 euro e 40 centë. Në total për tre muaj, për dreka me delegacione janë shpenzuar 531 euro e 20 centë.

Se sa kanë qenë racionale shpenzimet e Veliut dhe kabinetit të tij, gjatë kohës së pandemisë, KOHA ka pyetur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por gjatë së hënës nuk ka marrë përgjigje.