Arbëri

Ministri i LDK-së, projektet për komunat e LDK-së

Prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vendi të shkojë në zgjedhje, Arban Abrashi, si ministër në detyrë i Infrastrukturës, e ka vënë këtë institucion në shërbim të LDK-së, duke u zotuar për financimin e projekteve infrastrukturore në vlerë prej afër 4 milionë euro në katër komuna të cilat udhëhiqen nga bashkëpartiakët e tij. Abrashi tha se projektet nuk lidhen me fushatën, e se projekte do të financohen edhe për komuna të tjera.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit e kanë mobilizuar kabinetin qeveritar.

Që nga 21 dhjetori, kur edhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Qeverinë Hoti, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka filluar me nënshkrimin e memorandumeve për financimin e projekteve nëpër komuna.

“Përfituese” këtu kanë dalë komunat e udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Haki Rugova, si kryetar i Istogut njëherësh nënkryetari i LDK-së, nënshkroi memorandum me Abrashin për financimin e dy projekteve që kapin vlerën e rreth 500 mijë eurove.

Rregullimi i rrugës Qendër – Gurrakoc, vlera 207 mijë euro dhe ndërtimi i infrastrukturës rrugore te Burimi i Istogut, në vlerë prej 290 mijë euro.

Me Sokol Halitin, kryetar të Vitisë, u nënshkrua memorandumi për financimin e dy projekteve që kushtojnë më shumë se një milion euro.

Projekti i parë është ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës prej Anton Qeta deri te rruga Sejdiu, fshati Stubëll e Epërme, Viti, faza 2, prej 550 mijë euro. Ndërsa, projekti i dytë është asfaltimi i rrugës Mjak – Doboldeh, në vlerë prej 535 mijë euro.

Ndërkaq, në Pejë do të asfaltohen disa rrugë, e për këtë Abrashi ka nënshkruar një memorandum me Gazmend Muhaxherin në vlerë prej një milion e 400 mijë euro.

Detaje të tjera nuk janë publikuar, por që thuhet se kjo do të ndihmojë në zhvillimin e turizmit.

Me Lipjanin e udhëhequr po ashtu nga Imri Ahmeti i LDK-së, është nënshkruar një memorandum për rikonstruktimin e disa rrugëve në fshatin Llugaxhi dhe asfaltimin e disa të tjerave në Torinë, Banullë, Topliqan, Kraishtë e Shalë.

Mirëpo, nuk dihet se sa do të kushtojë kjo.

Pjesë e këtyre memorandumeve është bërë edhe Klina, që kryetarin e ka nga AAK-ja, por memorandumin e ka nënshkruar Besim Hoti i LDK-së, nënkryetar i kësaj komune.

Sipas një njoftimi në ueb-faqen e Ministrisë së Infrastrukturës, bëhet fjalë për katër projekte.

Në memorandum është ndërtimi i rrugës Klinë – Dresnik – Dollc, në vlerë prej 400 mijë eurove, ndërtimi i rrugës Ranoc – Leskoc - Zllakuqan, në vlerë prej 250 mijë eurove, asfaltimi i rrugëve në fshatrat Jagodë, Budisalc dhe Bërvokë, në vlerë prej 60 mijë eurove dhe asfaltimi i rrugës Aqarevë – Siqevë, faza e dytë në vlerë prej 90 mijë eurove.

Me aq sa është bërë publike, janë 3 milionë e 786 mijë euro që do të shkojnë për komunat në të cilat qeveris ose bashkëqeveris LDK-ja.

E, nënshkrimin e këtyre memorandumeve, ministri në detyrë, Arban Abrashi, nuk e lidh me fushatën dhe zgjedhjet e parakohshme.

“Ditëve në vijim do të më shihni edhe në komunat tjera që s’udhëhiqen nga LDK-ja”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka shtuar se projekte në të gjitha komunat e Kosovës do të financohen nga MI-ja.

“Nëse shihni buxhetin e shihni se ka shtrirje në secilën komunë. Kemi filluar memorandumet me komunat. Janë pjesë e projekteve që i kemi planifikuar në tetor-nëntor të vitit të shkuar”, ka shtuar ai.

Këto janë 13 projekte prej 33 sa kishte premtuar Abrashi në fund të janarit se janë të planifikuara për vitin 2021.