Arbëri

Banorët e Obiliqit i presin me picë Kurtin e Osmanin

Descriptive Text

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, iniciativa e së cilës i është bashkuar listës së VV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, kanë takuar sot qytetarët e Obiliqit mbështetjen e të cilëve e kanë kërkuar për zgjedhjet që pritet të mbahen pas një jave.

Kurti e Osmani u kanë premtuar atyre një jetë më të mirë dhe pa korrupsion në katër vitet e ardhshme.

Derisa kanë ecur sheshit të Obiliqit, një qytetar u ka ofruar atyre picë, të cilën Kurti e ka pranuar dhe ngrenë gjatë kohës sa ka përshëndetur qytetarët.

Para qytetarëve, Kurti ka deklaruar se zgjedhjet e 14 shkurtit janë referendum për vendin, duke shtuar se pikë kryesore kanë drejtësinë dhe punësimin.

“Kur jemi fare pak deri deri të zgjedhjet që janë referendum. Në vitin 1991, e kemi mbajtur referendumin, para 30 viteve kur populli është deklaruar për Pavarësi. Në vitin 2021 e kemi një referendum tjetër paçka se quhen zgjedhje të parakohshme, që masivisht duhet të deklarohemi për ndryshime demokratike të cilat sjellin drejtësi dhe punësim”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se VV-ja do të renditet e para në këto zgjedhje.