Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Limaj: Askujt nuk ua keni borxh lirinë

Nisma Socialdemokrate ka vazhduar fushatën elektorale me simpatizantët e rinj të saj. Bartësi i listës së kësaj partie, Fatmir Limaj, u tha atyre që të kenë ideale dhe të mos pranojnë të jetojnë në një vend ku poshtërohen, meqë siç u shpreh ai, askujt nuk ia keni borxh lirinë

Prishtinë, 4 shkurt - Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, të rinjtë e Nismës Socialdemokrate i kanë bërë befasinë liderit të kësaj partie, Fatmir Limaj. Ndërsa mbante fjalimin, atij i është dhuruar torta - urim me rastin e ditëlindjes së 50-të. Limaj falënderoi të rinjtë, ndonëse në tubim ishin në numër të vogël. Ai arsyetoi këtë me kufizimin e numrit, për t’i respektuar masat anti-COVID.

“E di që janë me qindra të rinj tanë që do të dëshironin të jenë këtu sot. Por, kemi bërë kufizimin në bazë të kushteve dhe rrethanave në të cilat po jetojmë”, ka deklaruar ai. Të pranishmit, megjithatë, nuk mbanin as maska e as distancë.

Limaj, gjatë fjalimit, pati një mesazh për ta dhe partitë që thirren në emër të lirisë.

“Ne duam që djemtë e vajzat tona të kenë idealet e tyre, që ata të mos pranojnë kurrë në asnjë formë, në asnjë mënyrë, që të jetojnë në një vend ku poshtërohen, ku u humb krenaria, ku e ulin kokën, sikur që do dikush sot t’ua ulë kokën, sikur ua kanë borxh këtë liri. Askujt për asgjë nuk ia keni borxh lirinë”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Limaj kërkoi nga të rinjtë e kësaj partie angazhim dhe rreshtim në rrugën e çlirimtarëve, në mënyrë që NISMA të dalë triumfuese në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Mos kurseni asgjë në këto dy javë, shfrytëzoni tërësisht këto ditë që ky rreshtim yni i çlirimtarëve të dalë triumfues më 14 shkurt”, deklaroi ai.

Pos kësaj, Limaj shtoi se ëndrra e të rinjve për një Kosovë të konsoliduar është e përbashkët me të Nismës.

“Unë besoj sikur ka qenë për gjeneratën time liria e Kosovës, djem dhe vajza të reja sot duhet të kenë ëndërr forcimin e Kosovës. Andaj, ky rrugëtim i përbashkët anë e kënd Kosovës e ka këtë qëllim, realizimin e asaj ëndrre për të pasur një vend të konsoliduar”.

Në këtë takim është shfaqur në projektor deklarata e Limajt e dhënë në Tribunalin e Hagës, dhe momenti kur ai është shpallur i pafajshëm.