Arbëri

Kryeministrisë i humb kontrolli mbi domainin “kryeministri-ks.net”

Descriptive Text

Të gjithë ata të cilët ia kanë mësyrë faqes "kryeministri-ks.net" nuk mund të kyçen për shkak se Kryeministria e ka humbur të drejtën e shfrytëzimit të domainit, që nga 31 janari.

Tashmë faqja zyrtare e kryeministrit është e paqasshme.

Eksperti për siguri kibernetike, Hekuran Doli, i ka thënë KOHËS se ligjërisht askush nuk mund ta blejë emrin e domainit për 42 ditë dhe këtë të drejtë e ka vetëm Kryeministria. Porse Zyra e kryeministrit ligjërisht e ka humbur të drejtën apo pronësinë mbi faqen.

Zyra e kryeministrit është e detyruar ta riblejë dhe nëse kjo nuk ndodh brenda 42 ditësh, dikush tjetër mund ta blejë atë.

Doli tutje ka shtuar se skadimi i domainit është një lëshim elementar. Kjo sipas tij, për faktin se kosto dhe mundi që nevojitet për ta vazhduar shërbimin e domainit është minimal.

Doli konsideron se dështimi në vazhdimin e shërbimit të domainit është i pafalshëm për institucionet e Kosovës, pasi thekson se është vënë në rrezik reputacioni i zyrës së kryeministrit.

"Dështimi në vazhdimin e shërbimit të domainit është i pafalshëm për institucionet e Kosovës, për shkak se është vënë në rrezik i gjithë reputacioni online i Zyrës së Kryeministrit i ndërtuar që nga fillimi i vitit 2009. Për fat të mire, kompania ku është blerë domaini, ofron periudhe pritjeje prej 42 ditësh me ç’rast lejon ri-blerjen e domainit pasi që ai të ketë skaduar. Prandaj, ka edhe disa ditë kohë që Zyra e Kryeministrit të ri-blejë domainin kryeministri-ks.net”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se nëse domaini blihet nga hakerët, atëherë ka rrezik që ai të përdorët për të lansuar sulme kibernetike, duke shtuar se qytetarët mund të bien viktime dhe të humbin informacionet e tyre konfidenciale.

“Në aspektin e sigurisë së informacionit, humbja e domainit nuk paraqet ndonjë rrezik të theksuar për të dhënat që ruhen në serverët e zyrës së kryeministrit pasi që domaini dhe hapësira ku ruhen informacionet e faqes së kryeministrit janë dy sisteme të ndara”, ka thënë ai.

Image
Image