Arbëri

“Germin” akuzon KQZ-në dhe PZAP-në për dështim të procesimit të kërkesave të votuesve nga diaspora

Descriptive Text

Për dështim të procesimit të aplikuesve nga diaspora për zgjedhjet e 14 shkurtit e ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa organizata “Germin”, që merret me të drejtat e diasporës.

Sipas bashkëdrejtuesit të kësaj organizate, Lirim Krasniqi, institucionet kanë krijuar pengesa të paarsyeshme në realizimin e së drejtës së votës.

“Konsiderojmë që ka një cenim, ose janë krijuar kushtet të cilat cenojnë të drejtën e votës për qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit. KQZ është ende shumë larg për t’i verifikuar të gjitha aplikacionet për votim nga jashtë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar se organizata do t’i drejtohet fillimisht Avokatit të Popullit.

“Germini” ka dërguar kërkesë edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për ta mundësuar pranimin e ankesave të qytetarëve përmes e-mailit. Megjithatë, në PZAP kanë thënë se nuk mund të ndryshohet rregulli gjatë procesit zgjedhor.

“Rregullat nuk mund të ndryshohen pa ndonjë bazë ligjore dhe nuk mund të ndryshohen e plotësohen kur loja/gara ka filluar, sepse tani jemi në proces zgjedhor”, thuhet në përgjigjen e PZAP-it.

Me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, rregullat zgjedhore të KQZ-së dhe rregullat e procedurat e PZAP-së, janë të përcaktuara afatet për paraqitjen e ankesave nga palët dhe kush mund të parashtrojë ankesa gjatë gjithë procesit zgjedhor nga shpallja e zgjedhjeve e deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare te zgjedhjeve. Paraqitja e ankesave nga palët brenda afateve të përcaktuara me dispozitat e ligjit dhe rregullave të lartcekura shqyrtohen nga PZAP-ja, ndërsa ato të cilat paraqiten para apo pas afatit nuk shqyrtohen.

Megjithatë, sipas Krasniqit, krijimi i një mundësie të tillë nuk përbën shkelje ligji.

“Edhe forma e aplikimit përmes e-mailit nuk parashihet me ligj, por është një mundësi që KQZ-ja e ka ofruar pikërisht për shkak të lehtësimit të procesit”, ka thënë tutje Krasniqi.

Ndërkohë, institucionet janë shprehur optimiste në përmbushjen e afateve lidhur me procesimin e kërkesave nga diaspora.

Me gjithë vonesat me afate, Burim Ahmetaj, kryeshef i Sekretariatit të KQZ-së, ka thënë gjatë mbledhjes të së shtunës se vlerësimi i zotësisë juridike pritet të kryhet brenda ditës, derisa të dielën telefonatat.