Arbëri

Sveçla paralajmëron: Grupet kriminale po bëjnë provokime të kota, realitetin e ndjejnë pas 15 shkurtit

Descriptive Text

Kandidati për deputet nga Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, një ditë pas vizitës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmani në veri të Mitrovicës ku u përcollën me fyerje nga banorët, ka reaguar në Facebook.

Ai thotë se në Kosovë ekziston një problem i quajtur administrim i veriut, për të cilin dihen shkaktarët e këtij problemi, e që nuk janë banorët e të gjitha etnive.

“Banorët, shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, në fakt janë viktima që duan t’i shpëtojnë sa më shpejt kësaj situate e të kthehen në normalitetin e sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.

Sveçla për situatën në veri ka fajësuar qeverinë serbe dhe udhëheqjet e deritanishme të Kosovës në koalicionet me Listën Serbe.

“Përderisa ka teori të ndryshme për iniciatorët, tashmë është e qartë se mirëmbajtësit e kësaj situate janë qeveria e Serbisë, nga jashtë, dhe mafia parapolitike e përfaqësuar nga udhëheqjet e deritashme të Kosovës, në koalicionet e tyre me listën Srpska”, ka shkruar Sveçla.

Ai tha se grupet kriminale po bëjnë provokime të kota dhe se realitetin do ta ndjejnë pas 15 shkurtit.