Arbëri

Autoritetet kërkojnë që qytetarët të mos relaksohen përballë COVID-19

Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bujar Gashi, kryesues i Kolegjiumit të Shëndetësisë në Asociacionin e Komunave të Kosovës, kanë thënë se është vënë re një relaksim i qytetarëve në luftimin e koronavirusit. Të dy në emisionin Desku të KOHËS kanë bërë thirrje të mos ndodhë një gjë e tillë duke konsideruar se Kosova ende është në momente serioze të përballjes me virusin.

“Kemi mësuar shumë. Janë marrë mësime që do të na shërbejnë sidomos stafit shëndetësor. Qytetarët janë pak më të relaksuar sepse kohëzgjatja e pandemisë ka bërë që të mposhtet frika, por jo edhe sëmundja. Njerëzit po ndihen më të lirë, por ne jemi ende në një moment shumë serioz, dhe kjo kërkon kujdes. Duhet të ketë respektim të masave, pasi edhe po vërehet një ngarkesë tek institucionet. Kemi edhe ngritje të rasteve që po përfundojnë me fatalitet”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, Gashi është shprehur se është gabim që qytetarët që kanë kaluar COVID-19 po ndihen më të sigurt. Ai ka thënë se ka ende punë për përballjen me virusin duke theksuar se tash është rreziku më i madh që qytetarët që kanë kaluar COVID-19 më herët tashmë të kenë rënie të nivelit të antitrupave.

Aktualisht në Kosovë janë 6109 raste aktive me koronavirus. Deri tash në vend janë regjistruar 59 mijë e 304 raste pozitive nga të cilët 1482 kanë vdekur.