Arbëri

Qeveria dhe ekspertët me parashikime të konfrontuara rreth rritjes ekonomike

Në krizën më të madhe ekonomike që ka njohur Kosova prej pasluftës, Qeveria në largim ka lansuar një projeksion optimist e të cilin ekspertët e shohin të pambërritshëm. E ka bërë këtë në Programin për Reforma në Ekonomi 2021-2023, dokument i miratuar të enjten, një kopje të së cilit e ka siguruar KOHA.

Aty parashikohet që rritja e sivjetme ta tejkalojë mesataren e asaj të parapandemisë.

“Gjatë vitit 2021 ekonomia e Kosovës pritet të rritet me një normë reale, me rreth 5.2%, duke u kthyer në nivelin e ngjashëm të regjistruar para krizës COVID-19 (viti 2019)”, shkruhet në këtë dokument. “Në dy vjetët e ardhshëm (2022 dhe 2023), rritja reale ekonomike do të luhatet rreth nivelit të saj historik prej 4.1%”.

Por pandemisë nuk është duke iu parë fundi. Probabiliteti i zgjatjes së saj është shtuar me t’u shfaqur versionet e reja të virusit.

Kujtim Dobruna është drejtor ekzekutiv i Iniciativës Ekonomike për Kosovën (ECIKS) dhe përmend këtë situatë kur thotë se nuk është i kollajshëm as projeksioni për rritjen ekonomike.

“Kjo e ka shtuar rrezikun për ekonominë në masë të madhe e njëkohësisht e ka bërë edhe prognozimin shumë më të vështirë. Në anën tjetër, nuk ka ndonjë shenjë konkrete se vaksina mund të vijë shpejt në Kosovë dhe pa fillimin e vaksinimit nuk ka normalizim të gjendjes”, thotë Dobruna. “Derisa të ndodhë kjo, aktiviteti ekonomik do të vazhdojë të jetë i ulët, investimet do të mungojnë, konsumi do të mbetet në nivele të ulëta dhe të hyrat buxhetore do të vazhdojnë të kenë rënie”.

Se sa do të jetë niveli i rritjes ekonomike në këtë vit varet nga shumë faktorë, thotë Dobruna dhe përmend disa nga ta.

“Së pari, varet nga ajo se a do të kemi apo nuk do të kemi një ngërç politik pas zgjedhjeve, i cili do ta pamundësonte vendimmarrjen për çështje me rëndësi, siç është menaxhimi i pandemisë, apo edhe menaxhimi i investimeve kapitale. Së dyti, varet nga ajo se kur fillon vaksinimi – nëse vaksinimi fillon më së largu në muajin mars, e që mua më duket e pamundur, atëherë gjasat që të kemi një rritje ekonomike janë më të mira”, thotë ai. “Pastaj kjo varet edhe nga situata pandemike në Evropë, posaçërisht në ato vende ku graviton diaspora jonë. Nëse këto vende stabilizohen më shpejt dhe mundësohet lëvizja dhe ardhja e diasporës, që do të ndikonte pozitivisht edhe në konsum e edhe në pasqyrat e tregtisë së jashtme, atëherë mund të flasim për një rritje ekonomike”.

Një faktor tjetër tepër që thotë të jetë i rëndësishëm është edhe gjendja e biznesit në përgjithësi.

“Ne kemi një rrezikim permanent të tyre dhe nëse nuk iu ofrohet ndihmë financiare, pra likuiditet për ta parandaluar falimentimin e tyre, gjendja do të vështirësohet edhe më shumë. Papunësia dhe varfëria do të rriten”, rikujton Dobruna. “Dhe faktor tjetër që duhet përmendur është edhe deficiti i lartë buxhetor që Qeveria planifikon ta ketë këtë vit, e që është diku 6.5 për qind e bruto produktit vendor. Është një deficit shumë i lartë dhe parashtrohet pyetja se a do të ketë mundësi Qeveria ta financojë këtë deficit nga burimet e jashtme, konkretisht nga institucionet ndërkombëtare financiare, duke pasur parasysh që Kosova nuk ka qasje në tregjet e kapitalit”.

Pasi ka numëruar këta faktorë, ka nxjerrë konstatimin se në skenarin më optimist rritja do të shkojë pak përtej gjysmës së projeksionit që e ka dhënë Qeveria.

“Pra, nëse të gjithë këta faktorë janë pozitivë, nëse të gjithë këta shkojnë në drejtimin e duhur, atëherë unë do të isha i lumtur me një rritje ekonomike 3 për qind”, thekson Dobruna.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, dhe zëvendësministri Agim Krasniqi kanë refuzuar ta arsyetojnë projeksionin për rritjen prej 5.2 për qind. KOHA ka kërkuar nga ta një prononcim, por përgjigjja ka munguar.

Por në vet Programin për Reforma në Ekonomi theksohet se parashikimet paraqiten me pasiguri të larta pasi skenari bazë varet nga faktorë që lidhen me shëndetin publik dhe faktorë të tjerë ekonomikë që në këtë periudhë janë vështirë të parashikueshëm.

“Së pari, dinamika e pandemisë, nevoja për të rivendosur masat kufizuese dhe zhvillimet në aktivitetin ekonomik të sektorëve të karakterizuar me një intensitet më të lartë të kontaktit fizik paraqesin shumë pasiguri në projeksionet për vitin 2021 dhe ato afatmesme”, shkruhet në dokument. “Së dyti, pasiguritë vijnë gjithashtu nga sektori i jashtëm, i cili mund të kontribuojë në uljen e turizmit ose në uljen e dërgesave të parave”.

Në vitin e shkuar pandemia i kushtoi Kosovës me humbje ekonomike prej 7.2 për qind.