Arbëri

Ferizaj feston mbërritjen e Bidenit në Shtëpinë e Bardhë

Këshillat e fshatrave Bibaj, Sojevë dhe Mirosalë të Ferizajt, së bashku me pjesëtarët amerikanë të KFOR-it dhe Policinë e Kosovës, kanë organizuar aktivitete për nder të inaugurimit të Joe Bidenit president i SHBA-së. Mëngjesin e mërkurës ata e kanë nisur me homazhe te lapidari i Joseph Bau Bidenit, djalit të presidentit amerikan, Joe Biden. Lapidari i Joseph Bau Biden gjendet afër kampit të ushtrisë amerikane “Bondsteel”, në periferi të Ferizajt, derisa në rrugën kryesore afër këtij kampi është e vendosur një tabelë me emrin e tij. Ndërkohë Komuna e Ferizajt ka zyrtarizuar rrugën e fshatit Mirosalë, që lidh disa fshatra, me emrin e presidentit Joe Biden.

Banorët e fshatit Bibaj kanë vendosur 46 flamuj në oborrin e shkollës për ta nderuar zgjedhjen e presidentit të 46-të të SHBA-së. Në shkollën e fshatit është mbajtur një manifestim, ndërsa me mbështetjen e bizneseve janë vendosur edhe flamuj të SHBA-së në disa lokacione të qytetit.

Image

Faton Haxhisalihu, përfaqësues i fshatit Bibaj dhe njëri nga organizatorët e këtij manifestimi, ka thënë se shteti i Kosovës dhe Ferizaj gjithmonë do të jenë mirënjohës ndaj Amerikës.

“Presidenti Joe Biden, derisa e la shtëpinë e vet për t’u nisur në Shtëpinë e Bardhë, ishte i përlotur dhe me dhimbje, ndërkaq ne po i ndajmë ato emocione së bashku me të. Andaj ne si popull i Kosovës gjithmonë jemi krenar me popullin amerikan dhe gjithmonë do te jemi mirënjohës për të gjithë ata, andaj këta flamuj që simbolizojnë nga ura deri tek rrethi i autostradës kanë një domethënie dhe simbolizojnë mirënjohjen ndaj shtetit të Amerikës”, ka thënë Haxhisalihu.

Sipas tij, në oborrin e shkollës së fshatit Bibaj po valojnë 46 flamuj që simbolizojnë inaugurimin e detyrës së re të presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Rreshteri amerikan i KFOR-it, Casidy Howard, ka thënë të jetë i lumtur që vendlindja e tij vlerësohet kaq shumë nga populli i Kosovës.

Image

“Organizimi ka dalë shumë mirë, shumë njerëz janë paraqitur dhe kjo tregon një respekt të veçantë ndaj Amerikës dhe janë të kënaqur me prezencën e KFOR-it amerikan”, ka thënë shkurt ai.

Sylejman Syla, përfaqësues i fshatit Sojevë, ka thënë se është një festë e madhe për banorët e Ferizajt derisa gjendet kampi ushtarak “Bondsteel” po ashtu edhe lapidari i djalit të presidentit të Joe Biden.

“Po ne prej fillimit të luftës e deri më tash kemi parë shumë të mira nga KFOR-i amerikan dhe nga vetë SHBA-ja. Kemi pasur të punësuar rreth 8 mijë persona në kampin ‘Bondsteel’, të cilët kanë vazhduar të punojnë edhe jashtë shtetit”, ka thënë Syla.

Hazir Berisha, përfaqësues i fshatit Mirosalë, ka thënë se emërtimi i rrugës së re me emrin e presidentit Joe Biden ka rëndësi shumë të madhe.

“Sot zyrtarizojmë rrugën ‘Joe Biden’, e cila lidh rrugën e fshatit Sojevë, bazën ‘Bondesteel’ me fshatrat Mirosalë, Pojatë e Softaj. Është një rrugë, e cila është emërtuar nga Kuvendi Komunal”, ka bërë të ditur Berisha.

Joe Biden me ceremoni shtetërore do të marrë postin e presidentit të SHBA-së pas fitores në zgjedhjet e nëntorit. Ai pason presidentin Donald Trump.

Image