Arbëri

Shasha: Krahasimi me procesin zgjedhor të CDU-së nxjerr në pah farsën e LDK-së

Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, ka tërhequr një paralele mes procesit të përzgjedhjes së kryetarit në Partinë konservatore gjermane, Unioni Demokristian (CDU) dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi që të dyja janë parti në kuadër të Partive Popullore Evropiane.

Edhe pse konsiderohen parti simotra, Shasha përmes një postimi në Facebook e ka quajtur farsë demokracinë brenda LDK-së, duke bërë krahasim me procesin e përzgjedhjes së Armin Laschet të shtunën kryetar të ri të CDU-së.

“Janë dy gjëra më të mbivlerësuara në vend: estrada dhe demokracia brenda LDK-së. Edhe pse për të parën nuk jam i sigurt. Se sa të prishura janë proceset demokratike të LDK-së tregon më së miri ajo për çfarë ata ironikisht më së shumti mburren – anëtarësimi në familjen më të madhe Evropiane politike. Sot parti simotër Gjermane e LDK-së ka zgjedhur Kryetarin e saj të ri. Krahasimi i procesit zgjedhor të CDU-së me atë të LDK-së e nxjerr në pah atë çfarë demokracia brenda LDK-së me të vërtet është – një farsë”, ka shkruar në fillim ai, teksa ka treguar se në fillim të garës për të parin e CDU-së ishin tre kandidatë e që çdo qëndrim i tyre për të ardhmen e partisë ka qenë publik. “Votimi nga 1,001 delegatë nuk ka qenë i para caktuar. Madje edhe në ditët e fundit gara në mes kandidatëve ka qenë shumë e afërt. Disa sondazhe të fundit e kanë nxjerr z. Friedrich Merz si favorit kryesor. Sot, në raundin e parë të votimit z. Merz me të vërtet rezultojë kandidati më i votuar, duke e kaluar z. Laschet për vetëm 5 vota. Sidoqoftë, ne raundin e dytë, pas eliminimit të kandidatit të tretë z. Rottgen, z. Laschet përmbysi rezultatin dhe fitoj garën për pasardhës të Merkelit me një dallim prej vetëm 55 votave”.

Sipas Shashës, asgjë nga ky proces në CDU nuk është parë ndonjëherë në zgjedhjet e LDK-së.

“Eh tash, krahasoni këtë me procesin e zgjedhjes së Kryetarit të LDK-së. Absolutisht asgjë nga këto, dhe asnjëherë, nuk kemi parë në zgjedhjet e LDK-së. Herën e kaluar LDK-ja refuzoi në tërësi kandidaturën e z. Sejdiu për Kryetar LDK-së. Pra, në garë ishte vetëm një kandidat. Rrjedhimisht, partia është privuar nga çfarëdo diskutimi demokratik për të ardhmen e saj apo të vendit. Dhe në fund, i gjithë ky proces është organizuar sikur të ishte një ndërmarrje kriminale – ZERO transparencë: me dyert të mbyllura dhe votën e fshehtë. Në këtë kontekst, çfarë e dallon pra LDK-në nga demokracia në VV, PDK apo AAK? Fakti që znj. Tërmkolli ka pasur të drejtë të kundërshtoj Kryetarin dhe të mos përjashtohet? Qesharake”, ka përfunduar postimin e tij Shasha.