Arbëri

22 vjet pas masakrës së Reçakut, banorët ende në pritje të drejtësisë

Data 15 janar ka 22 vjet që ua rihapë plagët e ua ringjall dhimbjet banorëve të fshatit Reçak të Komunës së Shtimes. Më 15 janar 1999, Reçaku ishte shfaqur në të gjitha mediat botërore kur forcat policore dhe ushtarake serbe vranë dhe masakruan përnjëherë 44 civilë të këtij fshati. Banorët e fshatit dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale edhe në këtë përvjetor kanë bërë homazhe para varrezave në Reçak.

Masakra e 15 janarit u bë pika kthyese e diplomacisë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Pas saj pasoi intervenimi ushtarak i NATO-s që solli fundin e luftës dhe lirinë e Kosovës.

Familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit e masakrës edhe pas 22 vjetësh janë në pritje të drejtësisë. Pothuajse çdo ditë Hafiz Mustafa, i mbijetuar i kësaj masakre, e viziton varrin e djalit të tij në Kompleksin Memorial. “Aso kohe djali jem i kishte vetëm 21 vjet, ishte i paarmatosur. Atë ditë e kujtoj shumë të rëndë, sepse ka qenë ditë e tmerrshme”, nis rrëfimin Mustafa, duke treguar se atë ditë forcat serbe në orët e mëngjesit kishin hyrë në fshatin Reçak dhe kishin grumbulluar civilët.

“Banorët e lagjes sonë nga frika janë grumbulluar në bodrum të një shtëpie, në mesin e tyre ishte edhe djali im. Serbët i kanë gjetur dhe i kanë dërguar në pjesën e epërme të fshatit. Aty i kanë vrarë e masakruar, ndërkohë ne që arritëm të mbijetojmë jemi shkuar dhe i kemi bartur disa kufoma. Por, kur e kam pa djalin tim, të cilin e kishin goditur afër zemrës, në atë moment për mua ka qenë tmerri më i madh i jetës”, tregon Mustafa. Ai tregon se banorët e Reçakut janë falënderues gjatë gjithë jetës ndaj ish- ambasadorit Wiliam Walker, i cili e kishte vizituar Reçakun dhe e cilësoi këtë masakër “Krim kundër njerëzimit”. “Me iniciativën dhe kërkesën e banorëve Walkerit i është ngritur edhe shtatorja, sepse deklaratat e tij të guximshme dhe të vërteta ringjallën përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare dhe intervenimin e NATO-s në Kosovë”, ka thënë më tej Mustafa, duke kërkuar nga organet kompetente që t’i gjykojnë kriminelët të cilët e kanë kryer këtë krim në Reçak. “Drejtësia për masakrën e Reçakut është vonuar, por në vend që të gjykohen paramilitarët në Serbi po ndodh e kundërta, sepse po gjykohen ish-komandantët e luftës të cilët kanë mbrojtur popullin e vet”, ka thënë ai.

Image

Hafiz Mustafa


Nga kjo masakër ishte zhdukur Sahide Metushi, e cila aso kohe ishte rreth 60-vjeçare, ndërkaq Hasan Metushi, djali i saj, ka treguar se ende nuk dihet asgjë për fatin e nënës së tij. “Kemi bërë dhjetëra kërkesa nëpër institucione të ndryshme, mirëpo deri tashti nuk ka lëvizur asgjë konkrete. Thjesht drejtësia është vonuar të merrej me çështjen e masakrës së Reçakut”, tregon Metushi. Ai shpjegon se më 15 janar të vitit 1999 familja e tyre ka humbur gjithsej katër anëtarë, në mesin e tyre edhe nëna e tij. “Unë dhe disa të tjerë kemi arritur të shpëtojmë fatmirësisht”, tregon Metushi. Ai rrëfen se në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, në shtëpinë e familjes së tij kishin hyrë forcat ushtarake serbe dhe ndërkohë ia kishin vrarë babanë dhe dy xhaxhallarët, ndërkaq nënën e tij, Sahiden, e kishin marrë me vete. “Atë ditë ka pasur luftime të ashpra midis forcave serbe dhe UÇK-së, ndërkohë në fshat në mënyrë tinëzare kanë depërtuar forcat serbe dhe kanë grumbulluar banorët me qëllim që t’i vrasin e t’i masakrojnë”, ka thënë më tej ai, duke shtuar se që nga paslufta kanë bërë kërkesa nëpër institucione të ndryshme që të angazhohen rreth gjetjes së trupit të nënës së tij, por deri tash nuk ka lëvizur asgjë.

Gjatë të premtes, në Kompleksin Memorial të Reçakut kanë bërë homazhe edhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, zyrtarë të institucioneve të ndryshme dhe përfaqësues të subjekteve politike.

Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, me këtë rast ka thënë se masakra e Reçakut ishte e tmerrshme jo vetëm në historinë e Kosovës, por në gjithë historinë e njerëzimit. “Masakra e Reçakut është ndër dëshmitë më autentike të gjenocidit serb në Kosovë. Pra, është vendi ku përfundimisht është dëshmuar qëllimi i Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar. Prandaj nga këtu, por duke nderuar të gjithë dëshmorët e martirët gjithandej Kosovës, duhet me zë të lartë ta themi këtë të vërtetë duke kërkuar drejtësi për të gjithë ata që ishin viktima civile, por edhe për të gjithë të tjerët që ranë në mënyrë që ne ta gëzojmë lirinë e vendit tonë”, ka thënë midis të tjerash Osmani. Ajo shoqërohej nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Kurti me këtë rast ka thënë se kjo ngjarje e trishtueshme e kishte tronditur e tmerruar gjithë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar, por njëkohësisht e kishte alarmuar dhe ndërgjegjësuar edhe opinionin ndërkombëtar dhe kancelaritë më të fuqishme botërore.

“Pas këtij akti gjenocidal në Reçak nuk vonoi shumë që avionët e NATO-s, bombarduan Jugosllavinë e Milosheviqit, pra ishte pikërisht një masakër sikur kjo e cila e vuri në lëvizje fuqinë më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit në mbrojtje të popullit tonë e kundër një shteti i cili e kishte projekt shfarosjen e shqiptarëve. Gjithashtu me pikëllim e me dhembje erdhëm që të takojmë edhe familjarët e të vrarëve në këtë masakër, sepse edhe këto janë viktima, sepse një drejtësi e mohuar është drejtësi e vazhdueshme jo vetëm ndaj atyre që nuk janë më, por edhe ndaj të afërmve të tyre dhe mbarë popullit tonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë homazheve në Reçak, ka thënë se në Kosovë kanë ndodhur edhe masakra të tjera dhe fillimi i vitit është gjithmonë i dhimbshëm për plot familje.

“Ky vend është më i veçantë. Ngjarja që ka ndodhur këtu e ka sensibilizuar botën mbarë për gjendjen, terrorin që ndodhte në Kosovë, me vite të tëra, por që ka kulmuar në këtë ditë. Asnjëherë nuk do të prehen të qetë këta trupa derisa ata që kanë kryer këto vepra të marrin dënimin e merituar. Drejtësia nganjëherë vonon, por jam i bindur se do të vendoset njëherë e përgjithmonë”, ka thënë midis të tjerash Hoti.

Enver Hoxhaj, në emër të PDK-së, ka thënë se po shënojnë këtë ditë për ta nderuar Reçakun dhe viktimat e kësaj ngjarjeje tragjike, por kësaj radhe pa presidentin Thaçi, pa kryetarin Veseli dhe pa Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, të cilët po mbahen në Hagë padrejtësisht. “Ata nuk janë në gjykatë si emra të përveçëm po është kauza jonë për liri. Se ky shtet është ndërtuar nga qytetarë trima dhe punëtorë. Natyrisht që për neve si PDK kjo është një ngjarje e rëndë dhe jam i sigurt që 5 nëntori e ka cenuar dinjitetin e shqiptarit”, tha Hoxhaj.

Kryetari i AAK-së , Ramush Haradinaj, ka thënë se “është e vërtetë se liria ka emër, e ka Prekazin, e ka Reçakun, i ka varret, vuajtjet dhe dhimbjet e të gjithë atyre që më të dashurit i kanë në themel të lirisë”.

Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, gjatë homazheve ka thënë se është një ditë e veçantë për të gjithë familjarët e Reçakut që humbën më të dashurit e tyre. “Angazhimi ynë për ndërtimin e mirëfilltë të shtetit tonë çdoherë duhet të bëhet mbi bazën e idealeve të të rënëve për lirinë e këtij vendi. Është një moment i veçantë ku të gjithë ne duhet të përkujtojmë dhe të jetojmë me këtë përkujtim të lartë”, ka thënë midis të tjerash ai.

Ndërkohë për shënimin e ditës përkujtimore Komuna e Shtimes ka mbajtur një mbledhje në Kuvendin Komunal. Kryetari i kësaj komune, Naim Ismajli, ka thënë se 22 vjet më parë forcat serbe vranë civilë të paarmatosur në Reçak. “Serbia nuk e kurseu as nxënësin e shkollës fillore 13-vjeçar, as plakun 99-vjeçar, as nënën e moshuar që ende mungon, që ende nuk është gjetur trupi i saj, nuk kurseu duke i vrarë as vajzat e motrat tona”, ka thënë Ismajli.

Image