Arbëri

Hoti paralajmëron fond emergjent për t’i ndihmuar të prekurit nga vërshimet

Foto: Alban Bujari / KOHA

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se do të thelëmohet fondi emergjent për t’i ndihmuar familjes e prekura nga vërshimet e ditëve të fundit në Kosovë.

“Jam duke e përcjellë situatën me vërshimet, gjendje vërtet e rëndë, është mirë që nuk kemi pasur viktima, dëme janë shkaktuar mjaft shumë. Po kujdesemi që të intervenojmë aty ku gjendja është më emergjente. Do të themelojmë një fond emergjent për t’ju dalë në ndihmë familjeve që kanë pasë dëme në shtëpi, që janë në kushte të këqija. Me shtabe lokale do bëjmë vlerësimin e dëmeve dhe si t’ju dalim në ndihmë atyre”, ka thënë Hoti gjatë vizitës në fshatin Dobroshec.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, bëri të ditur aksionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të evakuuar banorët.

“Angazhimi i parë ka ndodhur në rajonin e Gjakovës që janë evakuuar disa familje dhe kemi pasë angazhime tjera, në rajonin e Fushë Kosovës, Guri i Zi (komuna e Klinës, kemi ndihmuar Klinikën e Pulmologjisë, Qendrën e Forenzikës dhe një ekip është në rajonin e Vushtrrisë”, tha ai.