Arbëri

Bajrami viziton nxënësit që iu nënshtruan Provimit të Maturës

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka vizituar maturantët gjatë Provimit të Maturës 2017, në Gjimnazin Filologjik “Eqrem Çabej “në Prishtinë.

Me këtë rast, Bajrami tha se sot po testohen mbi 30 mijë nxënës, njëherësh theksoi se Ministria e Arsimit ka ndërmarrë të gjitha masat që ky test të kalojë mirë, gjithashtu ka uruar nxënësit që të kenë sukses në tejkalimin e kësaj sfide, për të vazhduar me sukses edhe në shkollimin e lartë pastaj.

“Sot është ditë e rëndësishme për nxënësit sepse më shumë se 30 mijë maturantë sot po i nënshtrohen testit dhe se matura është një fazë e rëndësishme në jetën shkollore të nxënësve sepse ata me këtë i japin fund jetës shkollore dhe fillojnë jetën akademike, ndërsa MAShT ka ndërmarrë të gjitha masat që asnjë nxënës të mos mbetet pa u përfshirë në shkollimin e lartë, qoftë në sektorin publik apo privat”, theksoi ministri.

Në vazhdim, ai tha se MASHT ka ndërmarrë të gjitha masat që të mos keqpërdoret testi nga manipuluesit e mundshëm të rrjeteve sociale dhe shtoi se kjo është një presion dhe sfidë edhe për vendet e zhvilluara, “por ne kemi caktuar numër të mjaftueshëm administratorësh e komisionarësh të cilët do të menaxhojnë me sukses tërë procesin, ndërsa keqpërdoruesit e mundshëm do të marrin dënimin e merituar”.

Ministri Bajrami, gjithashtu ka uruar edhe prindërit për suksesin e fëmijëve të tyre, të cilët po maturohen dhe “në njëfarë mënyre po përgatiten për të ndërtuar edhe karrierën e tyre profesionale akademike”.