Arbëri

LDK-ja s’do koalicion me AKR-në, por të garojnë me listë të përbashkët

Bashkëpunimin me Aleancën Kosova e Re, Lidhja Demokratike e Kosovës synon ta bëjë duke garuar me një listë të përbashkët, e jo të bëjë koalicion parazgjedhor me të.

Pas takimeve që këtë të shtunë kanë pasur me strukturat e LDK-së, nënkryetari Lutfi Haziri tha se për këtë çështje me AKR-në janë duke diskutuar kryetari Isa Mustafa e kandidati për kryeministër Avdullah Hoti.

“Parimisht koalicione parazgjedhore nuk do të ketë në kuptimin klasik. Do të ketë koalicione me parti ose individë përfaqësuar me një fron politik të përbashkët ose një listë të përbashkët, sepse zgjedhjet edhe ashtu janë të jashtëzakonshme, kanë natyrën e tillë të punës”, tha Haziri.

Lidhur me këtë çështje KOHA ka kontaktuar me AKR-në. Nënkryetari i saj, Fatmir Matoshi, nuk ka treguar nëse do të pranojnë një mënyrë të tillë të bashkëpunimit. Duke mos shpalosur më shumë detaje, Matoshi ka thënë se ka disponim që të arrihet një marrëveshje mes dy partive.

Para takimit me kryetarët e degëve, LDK-ja ka mbledhur kryesinë. Pas tij, nuk janë dhënë shumë detaje, derisa është thënë se janë diskutuar kryesisht çështje teknike.

“Thjesht, ka qenë një mbledhje koordinuese dhe ndërtimi i kritereve për deputetë, hartimi i programit të fushatës dhe çështje të tjera teknike”, u shpreh Arben Gashi, zyrtar i LDK-së.

Koalicionet parazgjedhore partitë politike duhet t’i deklarojnë deri më 12 janar, derisa ato kanë kohë që ta finalizojnë listën e kandidatëve për deputetë deri në fund të javës tjetër, më 16 janar.