Arbëri

MSH-ja insiston se ka marrëveshje me Pfizerin për vaksinat anti-COVID

Descriptive Text

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës insiston se ka marrëveshje me kompaninë amerikane Pfizer për blerjen e 535,000 vaksinave anti-COVID.

Reagimi i MSH-së vjen pasi u raportua se Pfizeri ka demantuar marrëveshjen me të për vaksinat anti-COVID.

Në fakt, në një përgjigje për KOHËN, kompania Pfizer nuk ka pranuar të flasë nëse ka marrëveshje apo jo me Qeverinë e Kosovës.

“MSH-ja informon edhe një herë se ka marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 535.000 vaksinave kundër COVID-19. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar me Pfizer Marrëveshjen për konfidencialitet lidhur me vaksinat dhe detajet teknike për sigurimin e vaksinave janë duke u zhvilluar sipas parimeve të përcaktuara në këtë marrëveshje. Përveç vaksinave nga Pfizer, siç edhe është bërë e ditur këtë javë, 600.000 vaksina të tjera janë siguruar përmes shtetit të Austrisë, derisa 720.000 doza të tjera do të merren falas nga mekanizmi COVAX. Vaksinat e para kundër COVID-19 do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt”, thuhet në reagimin e MSH-së.

MSh-ja nuk ka bërë të ditur datën se kur do të vijnë vaksinat, por ka treguar vetëm muajin.

Për shembull, në Shqipëri është zbuluar data dhe sasia e vaksinave të para që do të arrijnë.