Arbëri

Gjykata e BE-së hedh poshtë padinë e Spanjës kundër Komisionit Evropian për shkak të Kosovës

Sqarimet e shpeshta se “Kosova nuk është shtet për BE-në” janë pjesë përbërëse e të gjitha vendimeve, dokumenteve, deklaratave dhe marrëveshjeve që bëjnë institucionet e Bashkimit Evropian (me përjashtim të Parlamentit Evropian). Kjo për shkak se 5 vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, kundërshtojnë çdo gjë që lë përshtypjen se BE-ja po e konsideron Kosovën si shtet.

Por Spanja, e cila është më e zëshmja kundër shtetësisë së Kosovës, e ka ngritur çështjen e trajtimit të statusit të Kosovës nga BE-ja edhe në Gjykatë. Në një rast që duket se është i pari ku statusi i Kosovës trajtohet nga Gjykata e Bashkimit Evropian (Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian) është refuzuar padia e Mbretërisë së Spanjës kundër Komisionit Evropian për një Marrëveshje mes BE-së dhe Kosovës.

Gjykata e BE-së, në një vendim i cili ka mbetur në hije të zhvillimeve të tjera, qysh në fund të shtatorit të vitit të shkuar kishte konstatuar se Kosova, nëse nuk njihet si “shtet”, ka mundësi si “vend” të ketë marrëveshje me BE-në.

Gjykata ka pranuar argumentet se termi “vend” përfshin më shumë sesa termi “shtet” që vlen për shtetet sovrane. Në traktatet e BE-së ekziston mundësia që BE-ja të ketë “marrëveshje me vendet e treta” dhe këtë Gjykata e ka interpretuar se ato “vende” nuk duhet doemos të jenë shtete sovrane. Në këtë mënyrë është vlerësuar se Kosova është kualifikuar si “subjekt i së drejtës ndërkombëtare” apo “entitet legal” në aspektin e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare, pa u njohur si shtet nga BE-ja.

Edhe në këtë vendim Gjykata ka përmendur shembuj ku BE-ja ka bërë marrëveshje me “entitete që nuk janë shtete sovrane”, siç janë marrëveshjet me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), Tajvanin, Makaon dhe disa të tjera.

Spanja para dy vjetësh kishte kërkuar nga Gjykata e BE-së që ta anulojë një vendim të Komisionit Evropian për ta njohur të drejtën e Kosovës për pjesëmarrjen në Trupën Evropiane të rregullatorëve të komunikimit elektronik. Spanja pohonte se në këtë mënyrë Komisioni ka dalë jashtë traktateve themeluese për funksionimin e BE-së, duke e trajtuar Kosovën si shtet dhe se, sipas Spanjës, “vetëm shtetet” mund të jenë pjesë e këtyre trupave.

Pasi në emër të Kosovës në këtë trup, të njohur me shkurtesën BEREC, është pranuar Autoriteti Rregulativ Kombëtar, Spanja po ashtu në padinë e saj pohonte se Kosova nuk mund të ketë “rregullatorë kombëtarë” pasi nuk është shtet.

Gjykata e BE-së përmend edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ku në një pikë të saj thuhet qartë se BE-ja as me këtë marrëveshje nuk e njeh Kosovën si shtet e as që e paragjykon qëndrimin e shteteve anëtare ndaj statusit të Kosovës.

Gjykata, megjithatë, shprehet se këto masa që merr BE-ja për të shprehur se nuk njeh Kosovën si shtet “nuk munden”, ndryshe nga ajo që pohon Spanja, të interpretohen si përjashtim i Kosovës nga koncepti i “vendit të tretë”.

“Për më tepër, këto masa kanë qëllim specifik për të bërë dallimin mes statusit si “shtet” dhe kapaciteteve të Kosovës për të hyrë në obligime nën të drejtën ndërkombëtare si një pjesëmarrës i së drejtës ndërkombëtare që mbulohet nga koncepti më i gjerë i “vendit të tretë”, thuhet në vendimin e Gjykatës me të cilën hedhet poshtë padia e Spanjës. Gjykata konkludon se nuk qëndron pohimi i Spanjës se termet “vend i tretë” dhe “shtet i tretë” janë të barabarta. Sipas Gjykatës, termi “vend i tretë” ka një domethënie më të gjerë, sesa “shtet i tretë”.

Është hedhur poshtë edhe pohimi i Spanjës se “vetëm shtetet” mund të kenë Autoritete Rregullative Kombëtare.

Ligjëruesi i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Utrechtit në Holandë, dr. Kushtrim Istrefi, e sheh këtë vendim si shumë të rëndësishëm dhe është i sigurt se ai do të bëhet temë e diskutimeve akademike për zbatimin e së drejtës publike ndërkombëtare.

Në një analizë shkencore të publikuar në “European Journal of International Law”, duke u shprehur se sipas njohurive të tij ky është rasti i parë në histori që Gjykata e BE-së deklarohet rreth termeve “vend” dhe “shtet” në kuadër të së drejtës së BE-së.

“Përderisa e drejta publike ndërkombëtare është e heshtur rreth kategorive të vendeve si aktorë të së drejtës ndërkombëtare, vendimi në fjalë, së bashku me praktikën e organizatave të tjera ndërkombëtare ngre një pikë valide që mund t’i çojë përpara diskutimet se si aktorë të ndryshëm bashkëveprojnë brenda së drejtës ndërkombëtare” ka shkruar Istrefi.

Dr. Istrefi mendon se ky vendim është verdikti për rastin konkret dhe ai nuk e paragjykon se cili do të ishte mendimi në rast se Kosova aplikon për anëtarësim në BE.

Më herët zëdhënësi i BE-së ishte shprehur se “Kosova nuk mund të aplikojë për anëtarësim në BE, sepse anëtare mund të bëhen vetëm shtetet”, por më vonë ishte përmirësuar duke thënë se “secili mund të aplikojë, por është çështje tjetër se si do të trajtohet ai aplikim”, duke rikujtuar se Kosova nuk është shtet për BE-në pasi nuk është njohur nga 5 shtetet anëtare.

shumë vite ekspertët ligjorë të BE-së është dashur të gjejnë formula për të mundësuar raportet e Kosovës me BE-në, në kushtet në të cilat BE-ja nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur. Sikur edhe në këtë rast, shpesh janë përdorur ekzibicione semantike, duke përdorur fjalë me domethënie të dyfishtë apo të shumëfishtë. Në dokumentet e BE-së shpesh përdoret edhe termi “shtet”, edhe vend” dhe gjithçka varet pastaj nga interpretimi. Për shembull, përdoret termi “vendet kandidate”, por “shtetet anëtare”.

Edhe ky verdikt për padinë e Spanjës kundër Komisionit Evropian për rastin e Kosovës, që duket të jetë i pari ku BE-ja shprehet rreth dallimit mes termit “vend” (në anglisht “country”) dhe atij “shtet” (state) mund të bëhet si “sui generis”.