Arbëri

Berisha: Kërkesat e komuniteteve nuk u morën parasysh në Qeverinë Kurti

Kryetari i Partisë Liberale, Veton Berisha, ka thënë se gjatë Qeverisë në krye me Albin Kurti, nuk janë marrë parasysh kërkesat e komuniteteve. Ai në Interaktiv të KTV-së tha se komuniteti egjiptian kishte shpresë te ai dhe besonin se kërkesa për ta udhëhequr një ministri do të realizohej, por se sipas tij, hasën në vesh të shurdhër.

“Qeveria e Kurtit u krijua që i kishte pengesat e veta dhe ne si komunitete e kishim të pamundur të ishim pjesë aktive me parimet tona dhe me mundësitë që në kushte normale na ka dhënë Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Si parti politike kemi profil që mandati na jep mundësi të zgjidhemi nga populli dhe vullnetin e popullit ta reflektojmë me një marrëveshje që negociohet me mandatarin. Ne tentuam t’i vëmë kërkesat e komunitetit. Kërkuam një ministri. Ishte shpresa e madhe te z. Kurti sepse ishte ardhje e re dhe shpresë për ne dhe besonim fuqishëm se do jetë trajtim i veçantë ndaj nesh. Kërkesa ishte shumë legjitime sepse komuniteti egjiptian pas një periudhe të gjatë arriti të rikthejë dy deputetë”, tha ai

Ai tha se asnjë ndihmë nuk u është dhënë gjatë kohës së qeverisjes së Kurtit. 

“Pas një kohë hasëm në vesh të shurdhër, në injorancë të papritur për faktin që edhe aty u reflektua zbehtë në atë që ishte e çuditshme që komuniteti egjiptian të kërkonte ministri. Ne nuk u ndjemë mirë. Në kohën e qeverisjes nga muaji mars deri në qershor asnjë ndihmë nuk është dhënë ndaj komunitetit egjiptian. Në këtë mes të përçarjes, duke mos i pranuar kërkesat tona, përveç ministrisë kemi pasur edhe disa të tjera, investime kapitale, edukimit, parandalimit të racizmit, duke pa që nuk janë marrë parasysh kemi vendosur të mos e mbështesim atë qeveri”, tha ai.