Arbëri

Apeli konsideron se Qalaj nuk është shkarkuar, por është liruar nga detyra, ligji thotë së është e njëjta gjë

Descriptive Text

Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë argumentimin e gjykatës së shkallës së parë për bllokimin e zgjedhjes së drejtorit të ri të Policisë së Kosovës, pas padisë së ish-drejtorit Rashit Qalaj.

Rreth një muaj më parë Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favor të ankesës së Qalajt për masë të sigurisë, porse ky vendim, pas ankesës së Qeverisë së Kosovës, nga gjykata e shkallës së dytë është kthyer në rivendosje. Në vendimin e Apelit të siguruar nga KOHA janë gjetur mangësi sidomos në dy pika.

“Kundërthënia në mes arsyetimit të aktvendimit të goditur qëndron për faktin se gjykata në pjesën ku i referohet besueshmërisë së të drejtës subjektive të palës propozuese, e potencon faktin se vendimi mbi lirimin nga pozita e drejtorit janë të kundërligjshëm, pa u vërtetuar fare nga gjykata nëse vendimi është i kundërligjshëm ose jo”, thuhet në vendimin e Apelit. “Gjykata e Apelit, nisur nga kjo gjendje e çështjes vlerëson së qëndrimi dhe përfundimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, për shkak se aktvendimi i atakuar në ankesë është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore”, argumentohet tutje aty.

Gjyqtarja e Apelit, Nora Dula-Hamiti, në argumentimin e saj e ka përdorur një fjali kontradiktore. Ka vlerësuar së Qalaj nuk është shkarkuar nga Qeveria Hoti, por është liruar nga detyra, e që sipas saj këto nuk janë e njëjta gjë.

“Rezulton se paditësit nuk i është ndërprerë marrëdhënia e punës e as nuk është shkarkuar, por është liruar nga detyra”, argumentohet tutje aty.

Por krejt ndryshe nga interpretimi i gjyqtares Dula thuhet në Ligjin për Policinë e Kosovës.

Në nenin 39 të Ligjit, lirimi nga detyra dhe shkarkimi cilësohen e njëjta gjë.

“Lirimi apo shkarkimi nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm: 1. Drejtori i Përgjithshëm apo Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm lirohen apo shkarkohen nga detyra nga autoriteti i cili i ka emëruar, për njërën nga arsyet e mëposhtme: 1.1. është dënuar për vepër penale, 1.2. arrin moshën për pension; 1.3. jep dorëheqje; 1.4. për shkak të pamundësisë së ushtrimit të detyrës për një periudhë kohore jo më të gjatë se gjashtë (6) muaj; 1.5. me mbarimin e mandatit; 1.6. për shkak të performancës jo të mirë të dokumentuar”, thuhet në këtë ligj.

Apeli, megjithatë, ka hedhur poshtë kërkesën e Qeverisë së Kosovë që rasti në rivendosje t’i caktohet një gjyqtareje tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pas këtij vendimi, Gjykata Themelore do të vendosë për të dytën herë për këtë çështje.

Qalaj është shkarkuar ose liruar nga detyra rreth tre muaj me parë nga kryeministri Hoti, me arsyetimin e mungesës së performancës. Dy ditë më pas Hoti ka marrë vendim për të shuar Task-Forcën Kundër Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës.