Arbëri

Nga fillimi i pandemisë në Kosovë kanë vdekur 23 profesionistë shëndetësorë

Descriptive Text

(Kosovapress) - Pandemia COVID-19 nuk i kurseu as mantelbardhët, por përkundër kësaj ata i qëndruan besnikë betimit të tyre se do jenë gjithmonë në shërbim të pacientëve. Si ushtarët e parë në front me armikun e padukshëm, shumë prej tyre u infektuan, por 23 mjekë e infermierë e humbën betejën me virusin.

Thonë se nuk ka luftë pa dhimbje e humbje, por vdekja e këtyre profesionistëve shëndetësorë në Kosovë po konsiderohet zbrazëti e madhe për sistemin shëndetësor në vend, i cili edhe ashtu ballafaqohet me mungesa të mëdha të profesionistëve shëndetësorë.

Nga marsi e deri tanë nuk i mbijetuan COVID-it, 17 mjekë dhe 6 infermierë.

Gëzim Berisha, mjeku i cili shërbeu në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, si pasojë e infektimit me COVID-19, në fillim të dhjetorit e humbi betejën me këtë virus. Berisha i cili edhe gjatë luftës kishte shëruar plagët e shumë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk arriti të fitojë përballë COVID-19 dhe të ngritet sërish në këmbë për t’iu shërbyer atyre që kishin nevojë për të.

“Ra viktimë vetë për të shëruar të tjerët”, është thënia që e përsërisin familjarët e të ndjerit. Musa Krasniqi, daja i doktorit, thotë se përkundër që specialisti i pediatrisë, Gëzim Berisha kishte telashe me mushkëritë, ai asnjëherë nuk hezitoi t’u dalë në ndihmë atyre që kërkuan mjekimin nga ai.

Ai në një rrëfim për KosovaPress, ka shpalosur sakrificën e nënës së mjekut, Gëzim Berisha për ta shkolluar atë.

“Betejën e humbi në moshën 52 vjeçare. E ka pasur një ftohje të mushkërive dhe duket si pikërisht ajo ka qenë shkaktari kryesor që nuk mundi t’ia dalë kësaj sëmundje për ta fituar betejën. [...] Humbje jashtëzakonisht e madhe për arsye se nëna e ka shkolluar me thonjtë e duarve si themi në zhargonin popull duke punuar me punë të ndryshme artizanale e të tjera. Ndërsa babai i ka vdekur menjëherë pas luftës, kështu shkollimin e ka pasur mjaftë të vështirë, por për familjen është humbje shumë e madhe. Edhe për sistemin shëndetësor për ato 13 fshatra e kemi pasur një shpresë të madhe se ku do të drejtohemi e tash e kemi goxha vështirë pa doktor Gëzimin”, tha ai.

Për 40 vjet iu kishte shërbyer si mjek qytetarëve të komunës së Dragashit, por Minafir Beshiri nuk arriti ta mposhtë koronavirusin. Muhamer Beshiri, djali i mjekut të ndjerë, thotë se deri në momentet e fundit besuan se babai i tyre do ta mposhtë sëmundjen COVID-19.

“Prej vitit 1980 ku ka diplomuar si mjek i ka shërbyer Qendrës së Mjekësisë Familjare në Dragash, diku në vitet ‘83-‘84, ka specializuar në mjekësi të përgjithshme tash i bie sikur në Mjekësi Familjare, dhe ka kontribuar deri në vitin 2019, deri në pensionim në QKMF të Dragashit. Ka pasur kërkesa vazhdimisht dhe ka shkuar edhe në shtëpi dhe në ordinancën private vazhdimisht, asnjë pacient nuk e ka refuzuar, pavarësisht a ka qenë me COVID apo pa COVID. Deri në moment të fundit personalisht por edhe të gjithë familjarët kemi menduar se do ta tejkalojë por nuk e pati fatin. Duke pasur parasysh situatën që ka qenë edhe pritje për ngushëllime nuk kemi pasur për shkak të situatës por ka pas shumë pacientë dhe shokë që edhe përkundër rrethanave kanë ardhur për ngushëllime. Edhe për pacientët ka qenë shumë një lajm tragjik për ta. Megjithëse ky ka qenë nga Dragashi dhe Dragashi është një vend i vogël ku të gjithë njihemi mes vete, ka pasur shumë pacientë atje dhe shumë e kanë pritur si lajm tragjik”, tha ai.

Muaji korrik ishte tragjik edhe për familjen Macula. Në këtë muaj kur vendi u goditë nga vala e dytë e pandemisë, ndër të prekurit me koronavirus ishte edhe tekniku i dhëmbëve nga Mitrovica, Kujtim Macula, i cili në këtë profesion kishte shërbyer për një kohë shumë të gjatë.

Diellza Macula, vajza e të ndjerit, thotë se kur e morën vesh që babai i tyre ishte infektuar, asnjëherë nuk e kanë menduar se ky virus do ua merrte nga jeta më të dashurin e tyre, pasi ai gëzonte shëndet të mirë.

“Babai shëndetin e ka pasur të mirë, ka qenë aktiv, mirëpo simptomat e para kanë qenë të lehta, jo edhe shumë të rënda dhe se kemi menduar më të keqen. Nuk ka shkuar menjëherë tek mjeku, nuk e ka menduar se e ka COVID-in, por vetë fakti se si ka ardhur në ordinancë dhe ka ardhur me pacientë nuk iu kanë lajmëruar shenjat e para dhe e kemi kuptuar se e ka marrë. Humbjen e babit, pacientët e kanë parë si humbje të madhe, ka qenë profesionist i pashoq, ka qenë i afërt dhe mbi të gjitha ka qenë i qeshur. Familjarëve iu ka munguar shumë, na mungon dhe do na mungojë gjithmonë“, theksoi Macula.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se nga fillimi i pandemisë e deri tani rreth 1130 mjekë u infektuan nga koronavirusi, e 17 prej tyre nuk arritën ta mposhtin atë.

Sejdiu thotë se vdekja e këtyre profesionistëve shëndetësorë, është humbje e madhe jo vetëm për familjarët por edhe për gjithë sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Kjo është humbje e madhe së pari për familjen por edhe humbje e madhe për komunitetin tonë, por edhe për vetë institucionet ku kanë dhënë shërbime, duke marrë parasysh se nuk jemi shumë, edhe ashtu kemi mungesa, dhe kur flasim se që të gjithë pa përjashtim kanë qenë mjekë me përvojë të specialiteteve dhe profesioneve dhe ekspertiza e tyre e establuar e vërtetuar, atëherë është humbje edhe më e madhe”, tha ai.

E kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli përmes një përgjigje elektronike, ka treguar se nga fillimi i pandemisë e deri tanë me koronavirus janë infektuar mbi 1200 infermierë, laborantë e mami. Sipas tij, gjashtë nuk arritën të mbijetojnë këtë luftë shëndetësore.

“Mbi 1200 infermierë, mami, laborantë dhe profesionistë shëndetësorë janë prekur nga COVID-19, që nga 13 marsi i viti 2020. Vetëm në muajin korrik dhe gusht kanë qenë të prekur 400 deri në 500. 6 infermierë, laborantë e mami e kanë humbur betejën me koronavirus duke u infektuar në vendin e punës”, thuhej në shkresën e tij.

Mjeku i parë në Kosovë i cili vdiq si pasojë e infektimit me COVID-19, ishte mjeku nga Vitia, Fadil Zuka. Nga radhët e punonjësve shëndetësorë i dyti që humbi betejën me COVID-19 ishte kirurgu nga Gjakova, Ali Tolaj. Internisti-Reumatologu po ashtu profesor, Sylejman Rexhepi ishte mjeku i tretë që u bë viktimë e koronavirusit në moshën 67-vjeçare.

Lulzim Kolgjeraj ishte viktima e radhës nga mjekët, pasi u infektua me këtë virus. Pandeminë nuk arrit ta mposhtë as Kujtim Zarari, i cili ishte drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, e të tjerë.

Për të nderuar kontributin e tyre në luftën me pandeminë dhe gjithë punën që e kanë bërë në shërbim të pacientëve, gjatë muajit dhjetor ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani me medaljen e meritave i ka dekoruar profesionistët shëndetësorë që humbën betejën me COVID-19.