Arbëri

MASH-i këtë javë vendos sesi do të kompensohen orët e humbura

Pak ditë pasi është përmbyllur gjysmëvjetori i parë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nisur të shqyrtojë opsionet se si do të bëhet kompensimi i orëve të humbura në pjesën e parë të vitit shkollor. Për formën e kompensimit dhe kohën kur pritet të realizohet një gjë e tillë, do të vendoset këtë javë.

Ministri Ramë Likaj në një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se vendimi do të merret në bazë të udhëzimeve që i ka nxjerrë Departamenti i arsimit parauniversitar i MASH-it dhe bazuar në kalendarin e ri shkollor. Rol, sipas tij, do të kenë edhe raportet e drejtorive komunale të arsimit.

“Në atë udhëzues parashihet kompensimi i 4 ditëve që nuk janë mbuluar në këtë periudhë, 5 ditëve të tjera të gjysmëvjetorit të dytë, detyrat, vlerësimi i tyre dhe një lloj kompensimi i mësimit deri në 7 ditë për nxënësit që kanë pasur mungesa më shumë se 5 ditë mësimore, nëse kjo raportohet nga drejtoritë komunale”, ka thënë ai.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, ka kërkuar që çdo orë e humbur të kompensohet, meqë, siç shprehet, nxënësit kanë ngecur shumë. Po ashtu, ka kërkuar që Ministria para se të nxjerrë një vendim ta konsultojë edhe Këshillin e Prindërve.

“Viti 2020 i ka ndërprerë mjaft nxënësit nga procesi mësimor dhe është imediate që nxënësit tanë t’i mbajmë më afër procesit mësimor. Orët e humbura për të cilat nuk jemi pajtuar që një javë më herët të ndërpritet procesi mësimor e të zgjatet pushimi, ato duhet të zëvendësohen, sepse është në interesin e nxënësve sidomos në këtë vit pandemik, kur kanë filluar të punojnë me një orar të reduktuar”, ka thënë ai.

Viti shkollor në Kosovë ka nisur me dy javë vonesë, më 14 shtator. Edhe gjysmëvjetori përfundoi një javë më herët, me arsyetimin e Qeverisë, se kështu mund të parandalojmë përhapjen e Covid-19 në shkolla. Ky vendim u kritikua shumë nga Këshilli i Prindërve.

Gjysmëvjetori i dytë pritet të nisë më 18 janar. Sipas Ministrisë edhe në gjysmëvjetorin e dytë mësimi do të zhvillohet sipas 3 skenarëve, skenari A mësim në shkolla, skenari B mësim i kombinuar dhe skenari C mësim nga distanca.

Për 3 muaj sa u mbajt mësimi sipas këtyre 3 skenarëve, në shkolla u infektuan mbi 4 mijë nxënës, mësimdhënës e staf teknik. Më së shumti të infektuar pati mësimdhënës, ku nga 15.795 të testuar, 2.301 dolën pozitivë. Ndërkaq nga 6.090 nxënës të testuar 1.470 prej tyre ishin pozitivë, derisa numri i stafit teknik të infektuar me Covid-19 ishte 284 nga 2.688 të testuar.

Në nivelin parauniversitar në Kosovë janë gjithsej 345.540 nxënës. Vetëm në nivelin parashkollor janë gjithsej 9.393 fëmijë, në nivelin parafillor 23.650, në nivelin e mesëm të ulët 234.590, kurse në nivelin e mesëm të lartë 77.907 nxënës.