Arbëri

Projektbuxheti për vitin 2021, pa koston e rimëkëmbjes ekonomike

Prishtinë, 27 dhjetor – Zvogëlim të buxhetit në Ministri të Shëndetësisë dhe Ministri të Ekonomisë, e rritje të buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës, parasheh Projektbuxheti për 2021. Projektbuxheti 2.4 miliardësh (200 milionë euro më i vogël se i vitit 2020), pritet të shqyrtohet në seancë të jashtëzakonshme të hënën, para se vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Shkaku i krizës së shkaktuar nga pandemia, deficiti buxhetor gjatë 2021-s do të jetë afro 527 milionë euro, apo 304 milionë më pak se sa në vitin aktual. Kjo, pasi edhe shpenzimet buxhetore parashihet që të jenë për 200 milionë euro më pak sesa vitin që po e lëmë pas. Të hyrat parashihet të jenë në vlerë 1 miliard e 885 milionë euro, ndërsa shpenzimet 2 miliardë e 412 milionë euro.

Por, në këtë projektbuxhet nuk është e përfshirë kostoja e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili është miratuar në fillim të dhjetorit. PDK-ja ka kërkuar që të përfshihet kjo kosto me kusht që ta votojë atë.

“Vota e PDK-së do të jetë pro buxhetit dhe ne nuk duam që të gjitha kategoritë në Kosovë të cilat varen nga buxheti i shtetit, ushtarët e FSK-së, policët, mjekët, në pranverën e hershme të mbesin pa paga, dhe në gjysmë të vitit 2021 vendi të jetë i kërcënuar për shkak të mungesë së buxhetit”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se bashkë me buxhetin pritet të votohen edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat sipas tij, janë shumë në interes të Kosovës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se këto ligje tashmë nuk janë ligje për një qeveri apo për një koalicion qeverisës, duke shtuar se pritet të votohet për stabilitetin financiar të vendit.

E Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kuvendi nuk komunikon me Qeveri në detyrë aq më tepër me që sipas saj qeveria është ilegale.

Ndonëse ka përplasje rreth përmbajtjes së projektligjit e edhe legjitimitetit të qeverisë, Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë kanë bërë thirrje që të mos shpërndahet Kuvendi pa u miratuar buxheti.

Ashtu sikurse viteve të kaluar, edhe projektbuxheti 2021 parasheh favorizime dhe diskriminime të komunave në investime kapitale. Sipas një analize të Institutit GAP, 91 për qind e investimeve kapitale të nivelit qendror në komuna më 2021 janë vazhdimësi nga viti 2019, atëherë kur AAK-ja ka udhëhequr me qeverinë.

Të dhënat e buxhetit tregojnë se buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është zvogëluar për 25.5 milionë euro, ai i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës me 12.8 milionë euro më pak dhe buxheti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit është zvogëluar për 55 milionë euro. Rritje të buxhetit te Ministria e Infrastrukturës për rreth 53.9 milionë euro.

Në Ministrinë e Financave kanë vlerësuar se ekonomia e Kosovës do të rritet rreth 5.2 për qind, duke u kthyer në nivel të ngjashëm me vitin 2019. Kontribut në rritje sipas tyre, është performanca nga eksporti, veçanërisht ai i shërbimeve.

Në buxhet është paraparë edhe një shumë prej 200 mijë euro për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit, por kjo shumë është e paraparë vetëm për projektin ideor.

Shpenzimet në paga e shtesa parashihet të jenë 625 milionë euro. Investimet kapitale pritet të jenë rreth 613 milionë euro. Për programin e rimëkëmbjes ekonomike janë të parapara 182 milionë euro.

Ky projekt-propozim bëhet bazuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), dokument ky që është ndryshuar këtë vit shkaku i ndikimit të pandemisë. Aty parashihet një rekord i zi i hendekut ndërmjet të hyrave buxhetore dhe shpenzimeve që realizohen brenda një viti. Ai është saktësisht 831.9 milionë euro, shumë kjo që është sa katërfishi i vitit paraprak.

Është hera e parë që ky dokument është rishikuar pas miratimit. Ndryshimet janë aprovuar këtë javë në Qeveri, e në to tregohet se në vitin 2020 do të arkëtohen 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa është planifikuar të shpenzohen 2 miliardë e 620 milionë euro.

Mbështetur në projeksionet e ekzekutivit, dallim i madh mes të hyrave e shpenzimeve do të përjetohet edhe në 2021-n. Në këtë vit, hendeku do të jetë më i madh se gjysmë miliardi euro, e ai është projektuar të zbehet në 2022-n, kur hendeku të jetë 339 milionë euro. Projeksionet e Qeverisë thonë se tek në vitin pasues dallimi do të zbresë nën 300 milionë.

Por, ky përmirësim nuk do të jetë si rezultat i shtimit substancial të të hyrave, por kryesisht i uljes së shpenzimeve. Ndonëse për sivjet është paraparë që shpenzimet të jenë 2.6 miliardë euro, në tre vjetët pasues është projektuar të jenë më të ulëta: në 2021-n 2.47 miliardë euro, në 2022-n 2.35 miliardë euro e në 2023-n 2.41 miliardë euro.

Bazuar në dokument, rishikimi KASH-it është hartuar me qëllim të reflektimit të ndryshimeve të dukshme në treguesit kryesorë ekonomikë, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

“Treguesit kryesorë ekonomikë, kryesisht ata fiskalë, gjatë muajve të fundit sinjalizojnë se pritjet për fundin e vitit 2020 ndryshojnë dukshëm në krahasim me periudhën gjatë së cilës u përgatit KASH-i fillestar”, thuhet në dokument.

“Duke e pasur parasysh rëndësinë e KASH-it në orientimin e përgatitjes së Buxhetit për vitin 2021, proces i cili pritet të fillojë së shpejti, Ministria e Financave ka vendosur që për herë të parë ta rishikojë”.

Dallimi në mes të të hyrave dhe shpenzimeve do të shtrojë nevojën për burime të tjera financiare. Në dokument është shprehur pritja që hendeku të zbutet nga 321 milionë euro, që synohet të sigurohen nga jashtë, dhe 367 milionë euro të tjera nga brenda.

Shkaku i pandemisë, rënia ekonomike në Kosovë është për 6.5 për qind.

Ndërkohë, Banka Botërore ka paraparë një tkurrje të ekonomisë për 8.8 për qind. Por, për vitin e ardhshëm FMN-ja parasheh që të ketë një kthim të ekonomisë prej 4.5 deri në 6 për qind.