Arbëri

80 mijë vaksina sezonale në vlerë prej 800 mijë eurosh mbesin në stok të MSH-së

Descriptive Text

Edhe pse në stok të Ministrisë së Shëndetësisë kanë mbetur mbi 30 mijë vaksina kundër gripit sezonal për shkak të mosinteresimit të qytetarëve që t’i marrin ato, Qeveria ka blerë edhe 50 mijë të tjera përmes tenderit që kap koston prej 635 mijë eurosh.

170 mijë vaksinat e siguruara përmes UNICEF-it kanë arritur në Kosovë me vonesë, nga fillimi i muajit dhjetor, dhe deri më tash janë administruar afro 140 mijë. Vaksinat e mbetura të UNICEF-it dhe ato që ka blerë Qeveria rrezikojnë që t’u skadojë afati bashkë me rrezikun nga gripi sezonal.

Shifrat rreth administrimit të vaksinave dhe blerjes të të rejave i ka konfirmuar drejtori i Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.

“MSh ka blerë përmes UNICEF-it në total 170.800 vaksina (16500 + 5800). Këto vaksina kanë arritur në Kosovë në fund të nëntorit dhe fillimi i dhjetorit. Ka mesi i dhjetorit MSh-ja i ka marrë edhe 50.000 vaksina të tjera, të cilat janë blerë nga MSH-ja. Në total MSh-ja ka siguruar sivjet 220.800 vaksina. Deri tash janë shpërndarë mbi 140.000 vaksina”, thuhet në përgjigje.

Qeveria pati premtuar në muajin korrik se do t’i blihen 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal si një prej masave parandaluese kundër përhapjes së COVID-it, por përveç atyre të siguruara përmes UNICEF-it nga qeveria paraprake, ia ka dalë që të blejë vetëm 50 mijë të tjera.

Një vaksinë e blerë përmes prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë ka kushtuar 12 euro e 70 centë, në tenderin që ka kapur koston e 635 mijë eurove. Ndërkaq, çmimi i vaksinës së kontraktuar përmes UNICEF-it, kontratë e lidhur në muajin prill, ka qenë 5.60 euro.

Image

Në stok aktualisht gjenden 81 mijë vaksina, me kosto 800 mijë euro, për të cilat nuk ka interesim të qytetarëve për t’i marrë. Kosova është vendi i fundit në rajon që ka nisur vaksinimin sezonal. Organizatat ndërkombëtare të shëndetësisë rekomandojnë se vaksinimi sezonal duhet të nisë në muajin tetor.

Për shkak të vonesave të vaksinave të kontraktuara nga shteti, KOHA pati raportuar se një numër i madh i qytetarëve i kanë blerë vetë vaksinat në barnatore private.