Arbëri

Bordi i ZRRE-së jofunksional, tre anëtarëve u ka skaduar mandati

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nga mesi i dhjetorit është jofunksional. Tre nga pesë anëtarëve të Bordit të këtij institucioni u ka skaduar mandati. Edhe pse konkursi për plotësimin e këtyre anëtarëve është hapur në tetor, intervistat e kandidatëve në listën e ngushtë do të mbahen në janar. Në listën e ngushtë të kandidatëve është edhe ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Berisha-Shala. Në garë janë edhe Naim Sahiti, Driton Sejdiu, Afrim Ajvazi, Sami Shatri dhe Skënder Xani

Prishtinë, 23 dhjetor - Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Berisha-Shala, i ka hyrë garës për t’u bërë anëtare e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Ajo është në listën e ngushtë prej gjashtë kandidatëve të përzgjedhur për intervistë në konkursin e shpallur për dy anëtarë të Bordit. Në garë janë edhe Naim Sahiti, Driton Sejdiu, Afrim Ajvazi, Sami Shatri dhe Skënder Xani.

Ligji për ZRRE-në parasheh që anëtari i Bordit të ZRRE-së gjatë mandatit të tij nuk lejohet të jetë pjesë e strukturave të një partie politike. KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga ana e Berisha-Shalës për të pyetur nëse ka dhënë dorëheqje nga strukturat e partisë për t’iu nënshtruar garës për këtë pozitë, por ajo nuk është përgjigjur.

Bordi i ZRRE-së, që nga mesi i këtij muaji është jofunksional, pasi tre nga pesë anëtarëve të Bordit iu ka skaduar mandati. Kjo ka bërë që vendimmarrja në këtë institucion të pezullohet. Vonimi i procedurave për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të ZRRE-së do të çojë në zvarritjen e mëtutjeshme të çështjeve për të cilat ZRRE-ja është kompetente.

Nga ZRRE-ja kanë thënë se nuk mund të merret asnjë vendim që i përket rregullimit të sektorit të energjisë.

“Përkundër monitorimit të tregut dhe proceseve të ndryshme që duhet të zhvillohen paraprakisht, në ZRRE me këtë përbërje të Bordit, nuk mund të merret asnjë vendim që i përket rregullimit të sektorit të energjisë siç kërkohet me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Bordi i ZRRE-së është organi i vetëm vendimmarrës në ZRRE. Për të marrë vendime duhet të ketë së paku tre anëtarë, ndërsa aktualisht i ka vetëm dy anëtarë me mandat, Izet Rushitin dhe Selman Hotin.

Me Ligjin për rregullatorin, konkursi për anëtarë të Bordit duhet të hapet 60 ditë para skadimit të mandatit të anëtarëve të Bordit.

Por, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kanë thënë se konkursi për dy pozita të anëtarëve të Bordit është shpallur më 16 tetor dhe ka qenë i hapur deri më 16 nëntor.

“Është themeluar komisioni ad-hoc për zhvillimin e procedurës së rekrutimit dhe ky komision ka shqyrtuar aplikacionet dhe ka krijuar listën e ngushtë të kandidatëve, ndërsa intervistat për këtë pozitë planifikohen të realizohen brenda muajit janar 2021”, thuhet në përgjigje të Ministrisë.

Kompletimi i Bordit mund të pengohet edhe për shkak të rrethanave të krijuara politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpall jolegjitime Qeverinë Hoti. Korniza ligjore nuk e ndalon qeverinë në largim për t’i vazhduar procedurat e intervistimit pasi kjo bëhet nga stafi civil dhe jopolitik, por për t’u zgjedhur anëtar i Bordit të ZRRE-së duhet miratimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në rastin se Kuvendi shpërndahet brenda pak ditësh, procesi i përzgjedhjes së këtyre anëtarëve do të zvarritet, me mundësinë që përgjegjësia të bjerë në legjislaturën e radhës.

Ky institucion ishte përballë me situatë të ngjashme edhe më 2017-n. Ajo nuk kishte bord funksional shkaku se kryesuesit të atëhershëm, Krenar Bujupit, i kishte përfunduar mandati më 15 maj 2017, ndërsa mungonin edhe dy anëtarë të tjerë të Bordit. Njërit nga ta i kishte skaduar mandati në shtator 2016, ndërsa tjetri kishte dhënë dorëheqje në tetor të vitit 2016.

Sipas Ligjit të rregullatorit, brenda 60 ditësh para kalimit të mandatit të anëtarit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji apo pas shpalljes së vendit të lirë për arsye të tjera, Ministria përkatëse për sektorin e energjisë bën shpalljen publike, brenda një periudhe jo më të shkurtër se afati i përcaktuar me ligj.