Arbëri

Kastrati: Në Kosovë ka rënë numri i lindjeve, është rritur numri i vdekjeve më 2020

Avni Kastrati, nga Departamenti i Statistikave Sociale, në “Express Intervistën” në KTV ka bërë të ditur se sivjet ka pasur rënie të numrit të lindjeve, derisa ka pasur rritje të numrit të vdekjeve.

E një ndër shkaktarët sipas tij ka qenë edhe pandemia.

“Ne zyrtarisht të dhënat finale për vitin 2020 i publikojmë në qershor 2021, por i kemi edhe të dhënat preliminare në baza mujore. Numri i rasteve të vdekjeve është në rritje krahasuar me vitin 2019, apo 2018. Këtu janë disa faktorë. Vdekjet në Kosovë kanë disa vite që kanë një trend të rritjes graduale për shkak të moshës së popullsisë. Para një dekade popullsia e Kosovës ka qenë më e re, kurse tani grupmosha shkon më e vjetër. Por, ka edhe faktorë të tjerë, siç është COVID-19”, ka thënë Kastrati.

Ai ka thënë se kanë tre burime të të dhënave.

“Njëra është përmes formularëve që i mbushin institucionet përkatëse, burimi administrativ nga Agjencioni i Regjistrit Civil, por edhe nga Institucionet Fetare, që kanë një bazë shumë të mirë të të dhënave. Të dhënat më reprezentative janë nga ato fetare, sepse ato e bëjnë atë ceremoninë në fund dhe kanë numrin ekzakt të rasteve të vdekjeve. Këtu është një shqetësim, sepse ne ende nuk po arrijmë t’i ndajmë popullsinë rezidente. Pra, të gjithë ata kosovarë që vdesin jashtë Kosovës, ata që janë në perëndim shumica e tyre vijnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij numrin e vdekjeve e rrisin edhe rastet jashtë vendit, e që varrosen në Kosovë.

“Rreth 1800-2000 vdekje që nuk janë rezidencë vijnë dhe varrosen në Kosovë. Një pjesë e madhe e kanë shtetësinë e tyre dhe ata e shfrytëzojnë këtë të drejtë, por në fakt një pjesë e tyre nuk janë rezidentë gjë që e rritë shkallën e vdekshmërisë. Në muajt e fundit, sidomos nga qershori deri në shtator ka një rritje shumë të madhe, nga tri burimet që i marrim krahasuar me vitin e njëjtë të vitit të kaluar. Ka një rritje shumë të madhe, përafërsisht ka 200-300 vdekje më tepër vetëm për tre mujorë. Po dyshojmë se impakti më i madh i COVID-it”, ka thënë Kastrati. “Rastet e lindjes janë zvogëluar, po themi të dhëna preliminare, sepse qytetarët ndoshta kanë hezituar të shkojnë të paraqesin rastet e lindjes për shkak të pandemisë. Rastet e lindjes janë shumë më i vogël krahasuar më 2019”.

Kastrati ka bërë të ditur se sivjet ka pasur shumë të kthyer në Kosovë nga vendet e tjera, derisa numër të vogël të ikjeve.

“Ka pasur të kthyer shumë, shkaku i COVID-it. Sa i përket shkuarjes nga Kosova kemi një numër të vogël, është shumë i vogël krahasuar me vitin e kaluar. Gjithmonë ka me pas migracion, ka shumë arsye se pse migrojnë. Por shumica e emigrantëve janë shkaqet ekonomike. 8-10 për qind të kosovarëve shkojnë për shkaqe shëndetësore”, shprehet ai.

Kastrati ka thënë se në muajt prill-qershor rreth 60 mijë punëtorë nuk kanë qenë aktivë.

“Sipas standardit nëse një person merr të ardhura nga shteti ose një kompani më shumë se 50 për qind ai kalon në joaktiv. Ata kanë mbet papunë, por jo pa të ardhura dhe kanë kaluar në joaktivë. Papunësia është rritur për 1.7 për qind. Gastronomia e ndërtimtaria janë pakontrata. Një pjesë e madhe që kanë kontrata të përhershme janë në atë publik, por edhe në privat”, ka thënë Kastrati.

Ai ka bërë të ditur se pandemia gjithashtu ka shkaktuar problemi në funksionimin e këtij departamenti.