Arbëri

Zyrtarizohet partneriteti bilateral mes Kosovës dhe Jordanisë në fushën e mbrojtjes

Gjatë të mërkurës, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Jordanisë.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie, ku thuhet se është zyrtarizuar partneriteti bilateral mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Jordanisë në fushën e mbrojtjes pas procesit paraprak bashkëpunues përgatitor.

“Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua në distancë për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, nga shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Jordanisë, gjeneral major Yousef A. Alhnaity, në emër të palës jordaneze dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me autorizim dhe të ministrit Quni, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kjo sipas komunikatës është marrëveshja bilaterale e 15-të me radhë e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me vendet tjera në fushën e mbrojtjes.

Këro marrëveshje kanë për qëllim bashkëpunimin në fushat si: luftën kundër terrorizimit, operacionet paqeruajtëse dhe humanitare, arsimimin dhe stërvitjet ushtarake, hulumtimin në industrinë e mbrojtjes si dhe shkëmbimin e përvojave në nivel ekspertësh.

Të pranishëm gjatë nënshkrimit të Memorandumit përkatës ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Mbrojtjes, Rozafë Ukimeraj.