Arbëri

MASH-i përfshin në konkursin e bursave edhe studentët e mjekësisë në Prishtinë e Mitrovicë

Foto: Driton Paçarada / Koha

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka marrë vendim që t’i përfshijë në konkursin për bursa edhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë në UP dhe Universitetit të Mitrovicës.

Vendimin e ka nënshkruar sot ministri, Ramë Likaj. Sipas vendimit, bursa u janë ndarë 10 studentëve të Universitetit të Mitrovicës dhe 152 studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Këta të fundit ishin ankuar në Ministri se u diskriminuan duke mos u përfshirë në listën e përfituesve të bursës për vitin akademik 2020/2021. “Koha”, ka raportuar të dielën se arsyeja që nuk kishin përfituar bursë, është se në Fakultetin e Mjekësisë disa lëndë janë dy dhe trisemestrale e si pasojë, studentët nuk mund të përmbushin kuotën prej 60 kredive brenda një viti, siç kërkonte MASH-i.

Ky vendim ishte kritikuar edhe nga Parlamenti studentor i UP-së. Ky parlament e ka mirëpritur vendimin e sotëm të ministrit të Arsimit.

“Pas ankesave të shumta nga mjekët e ardhshëm të Republikës së Kosovës, Parlamenti Studentor në koordinim të afërt me studentët Senatorë dhe përfaqësuesit e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, arriti që pas takimeve me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, të përfshijnë edhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë̈ në listën e bursave të MASH-it për vitin 2020/21. Mospërfshirja në listën e parë të MASH-it, kishte ardhur si pasojë e keqinterpretimeve të kriterit të kredive (ECTS), për një̈ vit akademik”, thuhet në njoftim.

Javën e kaluar, Ministria e Arsimit ka publikuar emrat e 1.548 studentëve përfitues të bursës, shuma e së cilës është 700 euro.